Ndërlidhjet

Integrimi i Maqedonisë, prioritet i Qeverisë së re


Qeveria e Maqedonisë

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare, porositë, të cilat së fundmi vijnë nga diplomatët e huaj veçanërisht ato nga Brukseli se Maqedonia nëse arrin të dalë nga kriza dhe fokusohet në realizimin e reformave në sistemin gjyqësor, Brukseli do ta mbështesë Qeverinë e re të Maqedonisë me hapjen e negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian , i shohin një shans shumë të madh për të ardhmen e vendit në rrugëtimin euroatlantik

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Arbër Ademi, vlerëson se duhet t`i jepet fund sa më shpejt krizës politike për t’i hapur rrugë formimit të Qeverisë së re, siç ka theksuar ai, reformatore, e cila do të angazhohet për të ardhmen euro-atlantike.

Bojan Mariqiq nga Qendra për Strategji Evropiane, thotëpër Radion Evropa e Lirë se përshpejtimi i procesit të integrimit të Maqedonisë në BE, paraqet skenar shumë real.

Mariqiq vlerëson se situata e brishtë politike, e cila po zgjat për më shumë se dy vjet, mund të sanohet përmes integrimit të vendit në NATO dhe familjen evropiane.

“Si fillim, do të jetë shumë e rëndësishme shprehja e vullnetit politik për përkushtimin e Qeverisë së re në realizimin e reformave. Gjithsesi nuk duhet pasur iluzionin se gjithçka do të shkojë lehtësisht, por raporti i Pribesë paraqet një udhërrëfyes të qartë se cilat janë prioritetet në të cilat do të duhet të fokusohet vendi. Qeveria e re bashkërisht me Bashkimin Evropian, sektorin civil dhe opozitën, do të duhet ti përcaktojnë këto prioritete,siç janë reformat në Gjyqësor, Polici, administratën publike dhe gjithsesi dhe liria e medieve”, thekson Mariqiq.

Ndërkaq, Besa Kadriu nga Fakulteti i Shkencave Politike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, për Radion Evropa e Lirë thotë se qendrat vendosëse, Brukseli dhe Uashingtoni, u kanë dhënë një porosi të qartë autoriteteve të vendit se për ta është i patolerueshëm mosfunksionimi i shtetit ligjor.

Kadriu vlerëson se përkrahja e BE-së si në sferën ekonomike, ashtu dhe atë politike, asnjëherë s`ka munguar, por kjo përkrahje në masë të madhe është nëpërkëmbur nga strukturat qeveritare.

Sipas saj, nëse Qeveria e re e Maqedonisë tregon gatishmëri për të përmbushur obligimet që ka marrë në drejtim të realizimit të reformave, në atë rast faktori ndërkombëtar i ka bërë të qartë Maqedonisë se do ta përshpejtojë rrugëtimin e anëtarësimit në strukturat euroatlantike.

“Ajo pjesë e procesit, e cila kishte mbetur e zvarritur për një kohë të gjatë dhe e neglizhuar gjatë kohës së qeverisjes së kaluar, tani duhet të frymojë në një mënyrë tjetër. Kjo formë bashkëpunimi e Qeverisë së re të vendit me Brukselin , duke hapur dyert rreth formave të ndjekjes së rekomandimeve në mënyrë që Maqedonia të paraqesë një model të suksesshëm siç është sot Kroacia, nga vendet e rajonit".

"Ne duhet të dimë se Maqedonia nuk është një vend që ka prioritete të mëdha në domenin e prodhimtarisë ose pozitës gjeografike etj. Kjo e bën që alternativë e vetme për Maqedoninë të paraqesë anëtarësimi në familjen evropiane”, konsideron Kadriu.

Ndryshe, Maqedonia si shtet, për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, ka aplikuar që në vitin 2004 për të marrë statusin e vendit kandidat një vit më vonë. Në vitin 2009 BE-ja rekomandoi hapjen e negociatave për anëtarësim, megjithatë për shkak të krizave të shumta dhe ngecjes së reformave, Maqedonia akoma është larg anëtarësimit në BE.(REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG