Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Partia e Gruevskit hetohet për shpërdorim të miliona eurove


Kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, duke inspektuar një program grantesh që nisi në kohën kur partia e tij ishte në pushtet.

Prokuroria Speciale e Maqedonisë ka nisur hetime të reja kundër zyrtarëve në largim për shpërdorim të miliona eurove në afera të ndryshme, si në infrastrukturë, ndërtime të paligjshme të objekteve të banimit, financime partiake e të tjera.

Sipas prokurorëve specialë, keqpërdorimet janë bërë në periudhën prej vitit 2009 e deri në vitin 2015, ndërsa veçohet rasti i koduar si “Trajektorja”, lidhur me ndërtimin e një autostrade në drejtim të Greqisë, në vlerë prej 155 milionë eurosh.

Në këtë projekt, kompani fituese ka dalë një firmë kineze, me procedura tenderimi të dyshimta, gjë që, sipas Prokurorisë Speciale, dëshmohet nga bisedat e përgjuara telefonike, në të cilat "tre zyrtarë të lartë të qeverisë merren vesh për fitime nga përqindjet e provizionit".

Veç kësaj, Prokuroria Speciale ka nisur hetime edhe për financimin e partisë VMRO-DPMNE të Nikolla Gruevskit, lidhur me financimet e dyshimta në vlerë prej 4 milionë eurosh.

“Në rastin konkret ekzistojnë dyshime të bazuara se i dyshuari, si kryetar i partisë politike, edhe pse i kishte të njohura kufizimet ligjore, në periudhën nga viti 2009 e deri nga fundi i vitit 2015, ka mundësuar financimin e partisë në kundërshtim me përcaktimet ligjore. Ekzistojnë dyshime të bazuara se i dyshuari i parë ka pranuar parat e paligjshme”, tha prokurorja speciale, Fatime Fetai.

Financimi, sipas Prokurorisë Speciale, është bërë nga persona anonimë, ndërsa burimi i parave është i dyshimtë.

E përfshirë në këto donacione, apo shpëlarje të parave është edhe një firmë e njohur ndërtimore, që ka marrë pjesë edhe në ndërtimin e selisë së VMRO-së - një objekt që llogaritet se ka vlerë prej disa miliona eurosh.

Paratë nga anonimët, që “në fakt duhej të përdoreshin për bamirësi, janë përdorur për të blerë prona për lidershipin, si dhe për restorante e agjenci marketingu për nevojat e partisë”, tha Prokuroria Speciale.

Paratë e grumbulluara në mënyrë të paligjshme, sipas Prokurorisë, janë përdorur edhe për forcimin e rolit të liderit të partisë dhe qeverisjes së saj me vendin.

Maqedoni: Pushteti në largim po fsheh shpërdorimet e bëra

Nga ana tjetër, kryeprokurorja Katica Janeva është ndalur në nevojën e vazhdimit të mandatit të Prokurorisë Speciale, që skadon muajin e ardhshëm.

Ajo tha se Prokuroria Speciale ka nevojë për kohë shtesë për t’i çuar deri në fund hetimet kundër zyrtarëve të dyshuar për vepra të rënda penale.

“Duke marrë parasysh faktin se kjo Prokurori është në rrugën e vërtetë të ballafaqimit me krimin, që është në kompetencë të saj, kërkojmë nga shumica e re parlamentare që të anulojë apo ndryshojë nenin 22 të Ligjit për Punën e Prokurorisë Speciale, me qëllim që Prokuroria ta çojë deri në fund punën e saj për hetimin e të gjitha materialeve. Gjithashtu theksojmë nevojën për zbatimin e rekomandimeve nga Komisioni i Venedikut, sikur edhe miratimin e ligjit për dëshmitarët e mbrojtur”.

“Këto dy çështje kanë rëndësi shumë të madhe në hetimin e të gjitha rasteve që po udhëhiqen nga Prokuroria Speciale”, tha kryeprokurorja Janeva, duke bërë të ditur se institucionit që udhëheq, i ka mbetur të kontrollojë apo dëgjojë edhe rreth 55 për qind të materialeve të përgjuara telefonike.

Kjo, sipas saj, është dëshmi për nevojën e zgjatjes së afatit të Prokurorisë, për hetimin e plotë të asaj që njihet si aferë e përgjimeve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG