Ndërlidhjet

Bashkëpunimi me FMN-në do të vazhdojë


Fondi Monetar Ndërkombëtar

Një marrëveshje në mes Republikës së Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, pritet të përmbyllet me sukses në muajin gusht të këtij viti, thotë ministri në largim i Financave, Avdullah Hoti, përderisa thotë se edhe pas krijimit të Qeverisë se re, duhet të vazhdojë bashkëpunimi më këtë institucion.

Republika e Kosovës kishte arritur një marrëveshje ekonomike me Fondin Monetar Ndërkombëtar në vitin 2015, në vlerë prej rreth 185 milionë eurosh, në kohëzgjatje prej 22 muajsh, afati i së cilës skadon në gusht të këtij viti.

Kjo kredi, thotë Hoti është huazuar për realizimin e disa projekteve, të cilat ndikojnë në përmirësimin e zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Ministri në largim Avdullah Hoti, thotë se ky program përveç mbështetjes se 185 milionë eurosh, Kosovës i ka ndihmuar që të marrë kredi me kushte shumë të volitshme, si nga Banka Botërore dhe institucionet e tjera financiare ndërkombëtare, vlera e të cilave ka arritur në 400 milionë euro.

Unë mendojse ky program do të përmbyllet suksesshëm në gusht të këtij viti, në fillim të mandatit të Qeverisë se ardhshme. Nuk ka asnjë arsye që mos përmbyllet suksesshëm. Është program që është dizajnuar jo për shkak të ndonjë krize financiare apo fiskale në Kosovë, por është dizajnuar për t’i ndihmuar Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë reforma për përmirësimin e ambientin të të bërit biznesit dhe të fuqizojë pozitën e saj fiskale”, tha Hoti për Radion Evropa e Lirë.

Edhe pas zgjedhjeve të 11 qershorit dhe krijimit të Qeverisë se re, shteti i Kosovës, thotë Hoti, duhet të vazhdojë që të mbajë relacione të mira dhe kredibile me Fondin Monetar Ndërkombëtar, sepse si shtet i ri, thotë ai, Republika e Kosovës ka nevojë që të jetë në program me këtë Fond.

Gjatë këtij mandati e kemi pasur shumë lehtë të qasemi tek institucionet financiare ndërkombëtare, për shkak se kemi qenë brenda programit të FMN-së. Shtuar kësaj që programi është zbatuar shumë suksesshëm duke i tejkaluar të gjitha afatet që kanë qenë të parapara”, thotë ministri Hoti.

Edhe ekspertë për çështje ekonomike në Kosovë pohojnë se Qeveria e re, që do të formohet pas zgjedhjeve të qershorit, duhet të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet financiare ndërkombëtare.

Skënder Krasniqi, ish-drejtor i Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë, se Qeveria e re duhet të rinegociojë kushtet e afatit të kredive, në mënyrë që të investohet në projekte që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik.

Kosova ka nevojë për investime, pavarësisht që është investuar shumë në infrastrukturë, mirëpo në këtë drejtim duhet pasur investime marrë parasysh projektet madhore që kanë filluar, si rrjetet në hekurudha, pastaj investimet në bujqësi, por edhe investime tilla, të cilat mund të shtyjnë zhvillimin ekonomik, e në veçanti stimulimi i bizneseve private”.

Ndryshe, përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, në një deklaratë për media javën e kaluar kanë thënë se “duke pasur parasysh zgjedhjet e përgjithshme të paralajmëruara për muajin e ardhshëm, Fondi vazhdon të jetë i përkushtuar në mbështetjen e Kosovës gjatë mandatit të tij, si dhe është i gatshëm të angazhohet me Qeverinë e re pas zgjedhjeve”.

Kosova, në vitin 2009 është anëtarësuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar, kurse në muajin qershor po të këtij viti, është anëtarësuar edhe në Bankën Botërore.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG