Ndërlidhjet

Kosova me më shumë votues, sesa banorë


Ilustrim

Rreth 1.9 milionë banorë janë të regjistruar në listat e votuesve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 11 qershor në Kosovë.

Ndërkohë që, sipas shifrave zyrtare, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, llogaritet të jetë rreth 1.8 milionë banorë.

Kjo problematikë, po e përcjell Kosovën në të gjitha proceset e deritashme zgjedhore, në të dyja nivelet e pushtetit.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, thotë për Radion Evropa e Lirë se rreth 1.9 milionë është numri i banorëve në listat e votuesve, duke përfshirë edhe qytetarë të Kosovës që jetojnë nëpër vende të ndryshme të Evropës dhe botës.

“Numri përgjithshëm, sipas ekstraktit të parë të listës së votuesve, është rreth 1.9 milionë qytetarë që kanë të drejtë vote. Numri i të rinjve është rreth 120 mijë, kurse nga listat janë larguar më shumë se 80 mijë persona, qoftë të vdekur apo ata, të cilët e kanë humbur shtetësinë në çfarëdo mënyre”, bën të ditur Daka.

Por, në bazë të shifrave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të publikuara në vitin 2015, del se numri i përgjithshëm i banorëve rezidentë në Kosovë, është rreth 1.8 milionë.

Në Vjetarin Statistikor të Republikës së Kosovës për vitin 2016, nuk janë paraqitur të dhënat rreth grupmoshave të caktuara, por thuhet se numri i nxënësve në arsimin e mesëm të lartë special në vitin 2015/2016 ka qenë 103 mijë.

Kryetarja e KQZ- së, Valdete Daka, pranon se ka disproporcion mes listave të votuesve dhe numrit të banorëve, por, sipas saj, ndryshimet paraqiten te numri i qytetarëve që jetojnë në vendet e ndryshme të botës, të cilët nuk janë të përfshirë në regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë.

Po është në disproporcion, sepse në regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë në vitin 2011, mërgata nuk ka qenë e pranishme këtu, do të thotë shumica e diasporës nuk janë të regjistruar, por janë në lista të votuesve. Këtu qëndron ndryshimi në shifra”, sqaron Daka.

Edhe demografët në Kosovë konsiderojnë se dallimi në mes shifrave të votuesve dhe banorëve qëndron te diaspora.

Demografi Rifat Blaku, për Radion Evropa e Lirë, thotë se mund të ketë ndonjë gabim eventual me shifra nga 3 deri në 5 për qind, por pjesa tjetër, sipas tij, paraqet kontingjentin e qytetarëve rezident të Kosovës dhe numrin e shtetasve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme në botë.

“Kjo nuk është ndonjë lojë me elektoratin. Por, është një tregues se sa është numri i qytetarëve të Kosovës në botën e jashtme, që është një numër jashtëzakonisht i madh, e që kap një shifër mbi 800 mijë”.

“Duke marrë parasysh që të drejtë vote kanë qytetarët mbi 18 vjeç dhe për çdo vit kemi shtim nga 30 mijë të rinj, besoj se ky numër i dhënë nga KQZ-ja, është përafërsisht i saktë”, vlerëson Blaku.

Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rreth 700 mijë qytetarë të Kosovës, përfshirë dhe ata që nuk kanë të drejtën e votës, jetojnë në vende të ndryshme të botës.

Autoritetet e Kosovës, ndërkaq, kanë filluar regjistrimin e diasporës vite më parë, por ky proces ende nuk ka përfunduar. Deri në shtator të vitit të kaluar, Ministria e Diasporës kishte arritur të regjistrojë mbi 400 mijë qytetarë nga Diaspora.

Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, procesi i regjistrimit aktiv të diasporës ka përfunduar, kurse regjistrimi pasiv do të vazhdojë edhe pesë vitet e ardhshme.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG