Ndërlidhjet

Hoti: Do ta nxjerrim në opozitë PDK-në


Hoti: PDK duhet të jetë në opozitë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:15 0:00

Intervistë me Avdullah Hotin.

“Për hir të stabilitetit të institucioneve të vendit, për hir të zhvillimit ekonomik në vend dhe konsolidimin e demokracisë në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës duhet të dal në opozitë, kjo është e rëndësishme”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, i nominuari për kryeministër nga koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativa, Avdullah Hoti.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Hoti, cilat janë pikat kryesore të cilat ua ofroni ju, votuesve në Kosovë, i kandiduar për postin e kryeministrit, që ata t’ju mbështesin?

Avdullah Hoti: Fokusi jonë është tek zhvillimi ekonomik, tek punësimi, tek të ardhurat, ulja e papunësisë, zhdukja e varfërisë, rendi dhe ligji dhe integrimet evropiane. Këto janë tri shtyllat e programit tonë.

Brenda zhvillimit ekonomik kemi një program që është mjaft konkret që targeton grupe të caktuara të popullsisë, tek rinia, tek çështjet e cilësisë në arsim, dhe mandej punësimi pas mbarimit të arsimit.

Tek bujqit jam i sigurt që do ta dyfishojnë produktin bujqësor përmes subvencioneve që janë shumë më mirë të targetuara dhe dizajnuara si politika.

Kemi politika që janë të reja në këtë fushatë për familjet e reja kosovare për të ndihmuar familjet e reja që të konsolidohen dhe të rrisin fëmijët në qetësi dhe me të ardhura të mjaftueshme. Një bllok i veçantë i programit është sundimi i rendit dhe ligjit dhe luftimi i pa kompromis i korrupsionit.

Ne jemi të përgatitur që të nxjerrim ligjet më rigoroze që sigurojnë fillimisht pavarësinë e organeve të drejtësisë nga ndikimet politike dhe ndikimet e jashtme. Ofrimin e të gjitha resurseve në dispozicion për organet e drejtësisë që të kryejnë punën e vet dhe mbi të gjitha ligjin që konfiskon krejt pasurinë që nuk mund të dëshmohet se është fituar në mënyrë të ligjshme.

Dhe blloku i tretë është integrimet evropiane, anëtarësimi në NATO, fqinjësia e mirë. Kemi një platformë e cila është zhvilluar gjerësisht brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe koalicionit tonë sa i përket dialogut me Serbinë se si duhet të shkojë me një platformë komplet të re, tash me një afat kohor kur duhet të përmbyllet ky dialog.

Tek çështja e formimit të Ushtrisë, bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë, për krijimin e kushteve brenda krejt spektrit politik, përfshirë edhe pakicat për të lëvizur përpara në këtë drejtim, por të vendosur gjithmonë që Ushtria e Kosovës duhet të themelohet.

Ne do të shtjerrim të gjitha mundësitë që i kemi për të arritur konsensus me gjithë akterët politik në vend dhe do të lëvizim përpara me këtë vendim të madh.

Radio Evropa e Lirë: Për dy vite rresht, kryeministri në largim, Isa Mustafa, dhe Qeveria të cilës ju ende i përkisni, nuk arriti të sigurojë mbështetjen në Kuvend për demarkacionin. Çka dallon oferta e juaj në këtë rast, për ratifikimin e demarkacionit dhe liberalizimin e vizave?

Avdullah Hoti: Do të krijojmë një platformë të dialogut mes spektrit politik në Kuvend, mes pozitës dhe opozitës së ardhshme, do të involvojmë të gjitha palët në konsultime. Janë disa raporte për këtë qëllim.

Fillimisht, raporti që është bërë nga Komisioni shtetërore për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, tani është raporti i Komisionit ndërkombëtarë i themeluar në atë kohë nga ish presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga me ekspert amerikanë si dhe është raporti tjetër i Akademisë së shkencave.

Pra, janë tri raporte që nuk janë kontradiktore, do t’i nxjerrim në tavolinë me gjithë spektrin politik në vend, do të krijojmë transparencë maksimale në këtë proces përfshirë edhe banorët e asaj ane, duke i siguruara që asnjë pëllëmbë tokë nuk humbet as nuk falet, por që duhet të lëvizim përpara në këtë drejtim.

Radio Evropa e Lirë: Keni premtuar se do të arrini një buxhet prej 5 miliardë euro nga 2 miliardë sa është aktualisht. Si do të arrini këtë?

Avdullah Hoti: Programi jonë ka perspektivë tetë vjeçare. Në mandatin e parë, unë jam i sigurt që ne mund të arrijmë buxhetin 3 miliardë euro dhe në mandatin e dytë 5 miliardë euro.

Edhe kur e kemi përgatitur buxhetin që sot e kemi 2 miliardë euro gjatë verës së vitit të kaluar, kur unë kam filluar konsultimet brenda Qeverisë, ka pasur hezitime edhe nga kolegët ministra edhe nga analistët se nuk mund të arrihet, por sot 2 miliardë euro është realitetet.

Unë jam i sigurt që me projeksionet që kemi ne për rritjen ekonomike deri në 7 – 8 për qind, ne lehtësisht mund të arrijmë buxhetin 3 miliardë euro në mandatin e parë dhe 5 miliardë euro në mandatin e dytë.

Ne në baza vjetore tash mund të shkojmë deri në 500 – 600 milionë euro shtesë të bruto prodhimit vendor, që krijojnë një bazë të mjaftueshme ekonomike për të lëvizur tek një buxhet deri në 5 miliardë euro.

Disa prej projekteve të mëdha që do të kenë efekte multiplikuese në ekonomi unë pres që të fillojnë shpejt.

Projekti i termocentralit ‘Kosova e re’ që besoj shpejt do të arrijmë të nënshkruajmë kontratën me kompaninë amerikane që do të ndërtojë këtë, projekti i Brezovicës, Trepça, që unë besoj që për dy vite, pasi që tani kemi edhe studimin e fizibilitetit, do ta arrijmë që ta aktivizojmë, ta listojmë në bursat ndërkombëtare dhe ta ngjallim këtë gjigant ekonomik,që do ta ndryshojë rrënjësisht bilancin tregtarë që ka Kosova.

Radio Evropa e Lirë: Sa është i qëndrueshëm koalicioni aktual i Lidhjes Demokratike të Kosovës me Aleancën Kosova e Re dhe Alternativa. Besoni se do të mbijetoj ky koalicion edhe pas 11 qershorit?

Avdullah Hoti: Unë jam i impresionuar me mënyrën se si është perceptuar nga publiku ky koalicion, si një koalicion krejt i natyrshëm, i njerëzve që kanë qasje të njëjtë sikur ne në zgjidhjen e problemeve.

Ne jemi parti e qendrës së djathë. Me AKR-në pra si parti e qendrës së djathtë ne e promovojmë sektorin privat, ekonominë sociale të tregut, ekonominë liberale, marrëdhëniet e mira, integrimet në BE që janë krejt brenda botëkuptimeve dhe filozofisë politike që kanë AKR, Alternativa. Në masë të madhe përputhemi në programe.

Po shoh në terren që po pritet shumë mirë, kemi harmonizuar programet tona lehtësisht dhe është krijuar një frymë unifikuese e këtyre partive që na janë bashkangjitur. Nuk kam asnjë dilemë që do të funksionojmë si një trupë e vetme në Qeverinë e ardhshme.

Radio Evropa e Lirë: Nëse paraqitet nevoja, për formimin e Qeverisë së re, kë preferoni si partner shtesë në koalicionin tuaj, Vetëvendosjen apo ndonjë subjekt nga koalicioni Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma?

Avdullah Hoti: Është herët të flitet për ato. Me perceptimin që kemi në terren prej takimeve që mbajmë me të gjitha kategoritë e shoqërisë, unë jam i bindur që ne do të arrijmë të marrim shumicën e nevojshme për të themeluar Qeverinë.

Ajo çka është e rëndësishme, për hir të stabilitetit të institucioneve të vendit, për hir të zhvillimit ekonomik në vend dhe konsolidimin të demokracisë në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës duhet të dal në opozitë, kjo është e rëndësishme.

Qytetarët mendoj se duhet ta kenë të qartë, sepse është në interes më të mirë të vendit, të zhvillimit ekonomik, të rendit dhe ligjit në veçanti, të luftimit të korrupsionit që PDK të dal në opozitë.

XS
SM
MD
LG