Ndërlidhjet

SHBA – Kuvajt: Ndërmjetësim me Katarin dhe vendet e tjera arabe

  • RFE /RL

Doha

Shtetet e Bashkuara dhe Kuvajti po përpiqen për kapërcimin e ndarjes diplomatike ndërmjet Katarit dhe disa vendeve arabe, për shkak të akuzave se Katari e mbështet ekstremizmin.

Ministri i jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdul Rahman Al-Thani, tha sot se Kuvajti po përpiqet të ndërmjetësojë në këtë kontest, ku përfshihen edhe akuzat se Katari e mbështet Iranin dhe grupet kryengritëse shiite në rajon, që përkrahen nga Teherani.

Në një fjalim të transmetuar në rrjetin televiziv, Al-Jazeera, ministri i jashtëm i Katarit, Al-Thani, tha se vendi i tij do të përmbahet nga përshkallëzimi i këtij mospajtimi, që ka shkaktuar ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike, të raporteve tregtare dhe të trafikut ajror ndërmjet palëve.

Ai ka bërë thirrje për “dialog të hapur dhe të sinqertë” për zgjidhjen e krizës dhe ka shprehur përkushtim që Katari nuk do të lejojë që ky kontest t’i dëmtojë raportet me Shtetet e Bashkuara, që e kanë bazën madhore ajrore ushtarake në këtë shtet të vogël të Gjirit.

“Raportet tona me Shtetet e Bashkuara janë strategjike”, tha Al-Thani, dhe ka shtuar se “ekzistojnë gjëra për të cilat ne nuk pajtohemi, por hapësirat tona të bashkëpunimit janë shumë më tepër se ato të mospajtimit”.

Zyrtarët amerikanë thanë se po synojnë uljen e tensioneve ndërmjet dy palëve, derisa Kuvajti kishte dëshiruar të veprojë si ndërmjetësues ndërmjet Katarit dhe Arabisë Saudite, që e ka udhëhequr nismën në mesin e vendeve arabe për t’i shkëputur lidhjet me kryeqytetin Doha.

Në këtë kuadër, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders, tha se ​“presidenti është i përkushtuar për të vazhduar bisedimet me të gjithë njerëzit e involvuar në këtë proces, me të gjitha këto shtete".

"Ne dëshirojmë të vazhdojmë uljen e përshkallëzimit dhe në këtë pikë ne vazhdojmë të punojmë me secilin prej këtyre partnerëve”, tha zëdhënësja Sanders.

Mospajtimi ndodhi dy javë pas vizitës së presidentit amerikan, Donald Trump, në Arabinë Saudite, me ç’rast pati bërë thirrje për front unik mysliman kundër ekstremizmit dhe e ka theksuar Iranin dhe aleatët e tij, si burime të tensioneve në rajon.

Kuvajti dhe Omani ishin në mesin e pak shteteve që nuk i janë bashkuar nismës për izolimin e Katarit dhe Iranit. Konsiderohet se Irani është rivali kryesor i Arabisë Saudite në rajon.

Harta e Katarit, foro arkivi
Harta e Katarit, foro arkivi

Në këtë aksion, sauditëve u janë bashkuar Bahrejni, Libia, Egjipti, Jemeni, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Maldivet.

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, që lufton kundër kryengritësve të mbështetur nga Irani në Jemen, po ashtu, e ka përzënë Katarin nga koalicioni duke e akuzuar se u jep “mbështetje organizatave” terroriste atje.

Ministri i jashtëm iranian, Javad Zarif, ka bërë thirrje për dialog për zgjidhjen e konfliktit.

“Fqinjët janë të vazhdueshëm; gjeografia nuk mund të ndryshojë”, ka shkruar Zarif në rrjetin Twitter.

​Një zyrtar tjetër iranian tha se Teherani do të eksportojë ushqim në Katar nëpër det, derisa Arabia Saudite e ka bllokuar të vetmen rrugë tokësore për Katarin. Kjo ka shkaktuar panik te shtetasit e Katarit, të cilët u janë vërsulur vetëshërbimeve për të rezervuar sa më tepër ushqim.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka telefonuar presidentin e Tuqisë, Recep Tayyip Erdogan, për të diskutuar për kótë situatë. Raportohet se Ankaraja është “aktivisht e involvuar” në përpjekje për ta kapërcyer këtë gjendje të tensionuar ndërmjet vendeve arabe.

“Lindja e Mesme nuk është pikë ku mund të bëhet edhe një krizë e re”, tha zëvendëskryeministri i Turqisë, Numan Kurtulmus.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG