Ndërlidhjet

KQZ: Prin koalicioni PAN me 34 për qind


Zgjedhjet 2017
Zgjedhjet 2017

Nga 99 për qind e votave të numëruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma ka fituar 33.9 për qind të votave.

Pasohet nga Lëvizja Vetëvendosje me 27.1 për qind, kurse koalicioni Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa me 25.7 për qind të votave.

Derisa, Lista Serbe ka fituar mbi 5 për qind.

Dalja e votuesve në zgjedhje sipas të dhënave të KQZ-së ka qenë mbi 750 mijë apo rreth 42 për qind qytetarë, derisa të drejtë vote kanë pasur mbi 1 milion e 872 mijë.

Zgjedhjet 2017
Zgjedhjet 2017

Procesi zgjedhor është vlerësuar nga KQZ dhe nga koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, se ka shkuar pa ndonjë parregullsi, që do të cenonte integritetin e zgjedhjeve.

Zgjedhjet në Kosovë janë vëzhguar nga më shumë se 29 mijë vëzhgues nga partitë politike, organizatat joqeveritare, nga Bashkimi Evropian si dhe ambasadat e akredituara në Prishtinë.

Diku nga mesnata koalicioni Partia Demokratike e Kosovës, AAK dhe Nisma kanë mbajtur tubimin e parë kremtues me simpatizantët e tyre në Prishtinë.

Tubim kremtues ka mbajtur edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Dy festa në sheshet e Prishtinës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:50 0:00

Koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma ishte mbledhur në Sheshin “Skënderbeu” në qendër të Prishtinës ku është proklamuar fitorja .

Aty ishte kumtuar se rezultati i premton këtij koalicioni formimin e Qeverisë së re në krye me Ramush Haradinajn.

Në qendër të Prishtinës, në sheshin “Zahir Pajaziti”, ka festuar edhe Lëvizja Vetëvendosje. Edhe aty, është thënë se Kosova do ta ketë kryeministrin e ri, dhe ai, sipas Vetëvendosjes do të jetë Albin Kurti.

Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas përfundimit të procesit zgjedhor, ka deklaruar se pret që fituesi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të formojë një Qeveri pro-evropiane.

Ai ka thënë se pret që Qeveria e re të adresojë prioritetet e menjëhershme të vendit.

Thaçi po ashtu ka përgëzuar qytetarët e Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve, që siç tha ai, ishin të standardeve demokratike.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie i ka vlerësuar zgjedhjet si një hap të rëndësishëm për demokracinë e Kosovës. Ai ka përgëzuar të gjithë qytetarët që votuan.

Nga votimet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit do të përcaktohet përbërja e ardhshme e Kuvendit të Kosovës, i cili ka 120 ulëse.

Në garë për të siguruar vende në Kuvend kanë qenë 5 koalicione, 19 parti politike dhe 2 iniciativa qytetare.

Për formimin e Qeverisë së Kosovës, janë të domosdoshme të paktën 61 vota në Kuvend. Koalicioni apo partia fituese, kryesisht llogaritë në koalicione paszgjedhore edhe në pakicat, si kategori kushtetuese e domosdoshme për përfshirje në Qeveri.

XS
SM
MD
LG