Ndërlidhjet

Partia e Macronit, në rrugë drejt shumicës parlamentare

  • RFE /RL

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron

Rezultatet përfundimtare të raundit të parë për zgjedhjet parlamentare në Francë, tregojnë se partia e qendrës e presidentit Emmanuel Macron, do të fitojë shumicën në Asamblenë Kombëtare.

Zyrtarët e zgjedhjeve kanë thënë më 12 qershor, se pasi janë numëruar gati të gjitha votat, partia e Macronit, “Republika Përpara”, ka fituar 28 për qind të votave në zgjedhje, mirëpo së bashku me aleatët partia ka fituar 32.3 për qind të votave.

Votimet në Francë
Votimet në Francë

Republikanët konservativë kanë 16 për qind të votave, derisa Fronti Nacional i ekstremit të djathtë ka fituar 14 për qind të votave.

Partia e ekstremit të majtë, ka fituar 11 për qind derisa socialistët e ish-presidentit Francois Hollande, kanë rënë në 7 për qind.

Sipas sondazheve, rezultatet do të përkthehen ashtu që, partia e qendrës së Macronit së bashku më aleatët e MoDem nga partia e qendrës së djathtë, do të fitojnë nga 390 deri në 455 ulëse, nga 577 sa janë në Asamblenë Nacionale.

Zyrtarët e zgjedhjeve kanë thënë se pjesëmarrja në votime ishte 49 për qind, që konsiderohet si rekord i pjesëmarrjes më të ulët në Francën moderne.

Rreth 7.882 kandidatë janë duke garojnë për 577 ulëset e shtëpisë së Parlamentit.

Në rast se asnjëri nga kandidatët nuk fiton më shumë se 50 për qind në raundin e parë, të gjithë kandidatët që kanë siguruar të paktën 12.5 për qind, do të garojnë në raundin e dytë më 18 qershor.

Deri më tash vetëm tre kandidatë kanë siguruar ulëset gjatë raundit të parë, kanë bërë të ditur zyrtarët.

Nëse rezultatet nuk do të ndryshojnë shumë, pas raundit të dytë, presidenti pro-evropian Macron, do të ketë një mandat shumë stabil qeverisës.

Presidenti aktual Emmanuel Macron është presidenti më i ri që prej ish-liderit Nepoleon Bonaparta.

Ish-bankieri i investimeve ka thënë se do të shtyjë përpara reformat ekonomike dhe sociale, duke përfshirë lehtësimin e ligjeve të punës, si dhe reformimin e sistemit të pensioneve.

Franca është rikthyer”, i ka thënë televizionit francez, kryeministri Edouard Philippe.

Të dielën tjetër Asambleja Kombëtare do të shpërfaq fytyrën e re të republikës sonë”, ka shtuar ai.

Rivalët e Macronit kanë paralajmëruar për rrezikun që mund të shkaktojë përqendrimi i pushteti në duart e një partie.

Nuk është as e shëndetshme, as e dëshirueshme për një president, i cili ka mbledhur vetëm 24 për qind të votave në raundin e parë… dhe i cili është zgjedhur në raundin e dytë, vetëm pas mohimit të së djathtës ekstreme, të përfitojë tani nga monopoli i përfaqësimit kombëtar”, ka thënë lideri i Partisë Socialiste, Jean-Christophe Cambadelis.

Republikani konservator, Francois Baroin, ka thënë se fuqia politike nuk duhet të jetë e koncentruar vetëm në një parti, dhe ka ftuar përkrahësit e tij të dalin në votime në raundin e dytë.

Sot, më pak se gjysma e popullit francez e kanë shprehur preferencën e tyre”, ka thënë ai.

Ky nivel rekord i abstenimit, dëshmon për thyerjet e vazhdueshme të shoqërisë franceze.

Përgatiti: Krenare Cubolli

XS
SM
MD
LG