Ndërlidhjet

Demokratët – Trumpit: Mos e shkarko Muellerin

  • RFE /RL

Këshilltari special i Departamentit të drejtësisë, Robert Mueller.

Demokratët udhëheqës në Kongresin e Shteteve të Bashkuara mbrëmë vonë, i kanë tërhequr vërejtjen presidentit, Donald Trump, që të mos e shkarkojë këshilltarin special të Departamentit të drejtësisë, Robert Mueller, i cili po zhvillon hetime për dyshimet për përzierjen ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Pasi një ndihmës i afërt i zotit Trump, më herët këtë javë, tha se presidenti po e “shqyrtonte” mundësinë e shkarkimit të Muellerit, i cili ishte emëruar këshilltar special muajin e kaluar, Shtëpia e Bardhë tha se Trump nuk ka synim ta bëjë këtë, megjithëqë ka “të drejtë” për ta bërë këtë gjë.

Prej se presidenti, Donald Trump, e ka shkarkuar drejtorin e agjencisë FBI, James Comey, i cili po e mbikëqyrte hetimin lidhur me rusët, para më tepër se një muaji, komentet e Shtëpisë së Bardhë kanë shkaktuar shqetësim në mesin e anëtarëve të Kongresit amerikan, se Mueller mund të ketë trajtim të njëjtë, nëse hetimi shkon kundër presidentit.

Demokratja në Komitetin e drejtësisë në Senatin e Shteteve të Bashkuara, Dianne Feinstein, tha se është “gjithnjë e më tepër e shqetësuar” se Trump do të përpiqet ta shkarkojë, jo vetëm zotin Mueller, por edhe personin, i cili e ka caktuar atë, zëvendësprokurorin e përgjithshëm, Rod Rosenstein. Komiteti i drejtësisë i Senatit amerikan, po ashtu, zhvillon hetime për lidhjet e fushatës së zotit Trump me Rusinë.

“Mesazhi që presidenti po e dërgon nëpërmjet shkrimeve të tij në Twitter, është i tillë se ai beson se sundimi i ligjit nuk ka të bëjë me të, dhe se secili që mendon ndryshe do të shkarkohet”, tha Dianne Feinstein.

“Ai gabon shumë” nëse mendon se ai mund ta ndalë hetimin në këtë mënyrë, tha Feinstein dhe ka shtuar se “bile edhe mbështetësit e tij më të mëdhenj, do ta pengojnë një përpjekje të tillë flagrante për ta shkatërruar ligjin”.

Megjithëqë presidenti, Donald Trump, vështirë se do të akuzohej edhe në rast se hetimi i zotit Mueller zbulon ndonjë keqbërje penale, ky hetim do të mund të çonte në thirrjet për shkarkimin e Trumpit në Kongres, ku tashmë disa demokratë po e kërkojnë këtë aksion.

Demokratët thonë se Departamenti i drejtësisë e kishte caktuar prokurorin special për hetimin e aferës Watergate, në vitet e 70-ta, kur presidenti i atëhershëm, Richard Nixon, e urdhëroi këtë departament që ta shkarkoj prokurorin special, Archibald Cox, duke shkaktuar dorëheqje të prokurorit të përgjithshëm dhe zëvendësit të tij. Ky zhvillim është i njohur si “Masakra e Natës së Shtunë”.

Zoti Nixon më vonë dha dorëheqje nga posti i presidentit, në mënyrë që të mos ballafaqohej me shkarkim.

Demokrati i lartë në Komitetin e Inteligjencës të Dhomës Përfaqësuese, Adam Schiff, ka kërkuar që Kongresi të “bashkohet për ta ndalur” Trumpin, nëse ai përpiqet ta shkarkoj Rosensteinin ose Muellerin.

Zoti Trump “beson se ai ka autoritet për ta shkarkuar secilin në qeveri, të cilin ai e zgjedh për çfarëdo arsye”, tha zoti Schiff, komiteti i të cilit, po ashtu, zhvillon hetime për lidhjet Rusi – Trump.

Presidenti Trump ka shkaktuar shqetësime në Kongres me vlerësimet e vazhdueshme se hetimet e Kongresit dhe ato ekzekutive, për lidhjet e fushatës së tij me Rusinë, janë “gjueti e shtrigave”.

“Ju jeni dëshmitarë të gjuetisë më të madhe të shtrigave në historinë politike amerikane, që po udhëhiqet nga disa njerëz shumë të këqij dhe konfliktuoz!”, ka shkruar Trump në rrjetin Twitter.

Këtë javë, zoti Trump, po ashtu, e ka sulmuar atë që ai e cilësoi si “tregim të rrejshëm” në të përditshmen Washington Post, se hetimi i zotit Mueller është zgjeruar për ta përfshirë edhe shqyrtimin nëse shkarkimi i zotit Comey nga Trumpi, paraqet një përpjekje ilegale për pengimin e drejtësisë.

Postimet në rrjetin Twitter e reflektojnë zemërimin në rritje të zotit Trump lidhur me hetimet, për të cilat ai beson se janë të njëanshme dhe synojnë largimin e tij nga presidenca, ka raportuar mbrëmë agjencia, Associated Press, duke cituar ndihmës anonimë të Shtëpisë së Bardhë.

Demokratja Feinstein tha se zemërimi i zotit Trump “ka filluar nga një përpjekje për shkatërrimin e secilit që ka aftësi për të sjellë dritë në çfarëdo keqbërje” dhe Senati nuk duhet të lejoj që kjo të ndodhë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG