Ndërlidhjet

WP: Trump po hetohet për pengim të mundshëm të drejtësisë

  • RFE /RL

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump

Këshilltari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Robert Mueller, po heton nëse presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë përpjekje të pengojë drejtësinë, duke provuar të anulojë një pjesë të hetimeve të FBI-së mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016, raportoi gazeta Washington Post.

Hetimi për pengimin e mundshëm të drejtësisë, e cila është vepër penale në SHBA, filloi disa ditë pasi Trump shkarkoi ish-drejtorin e FBI-së, James Comey, tha Washington Post, duke cituar zyrtarë anonimë.

Comey, në dëshminë e javës së kaluar, tha se është shkarkuar pasi Trump nuk ka qenë i kënaqur me hetimet e Rusisë. Trump e cilësoi situatën si “gjueti shtrigash”.

“Është gjykim i imi se jam shkarkuar për shkak të hetimit të Rusisë”, tha Comey. “Jam shkarkuar për të ndryshuar mënyrën se si po zhvillohej hetimi i Rusisë”, shtoi ai.

Gazeta Washington Post tha se po hetohet edhe kërkesa e Trumpit, drejtuar Comeyt në muajin shkurt, për të ndaluar hetimin e ish-këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë për Siguri Kombëtare, Michael Flynn. Ky i fundit ka dhënë dorëheqje për shkak të kontakteve të padeklaruara me zyrtarët rusë.

Në dëshminë e tij, Comey tha se kërkesa e Trumpit për të lënë të lirë Flynnin ka qenë “shumë shqetësuese” dhe se pret që këshilltari i posaçëm, Mueller, të shqyrtojë nga afër nëse ajo përbën “pengim të drejtësisë” ose jo.

Trump, Flynn dhe Comey.
Trump, Flynn dhe Comey.

Ekipi ligjor i Trumpit e hodhi poshtë raportin e gazetës Washington Post.

"Rrjedhja e informacionit të FBI-së për presidentin është e egër, e pafalshme dhe e paligjshme", tha një zëdhënës i ekipit ligjor të Trumpit, Mark Corallo.

Ditë më parë, rreth një muaj pasi Trump shkarkoi Comeyn, një bashkëpunëtor i afërt i Trumpit tha se presidenti është duke shqyrtuar edhe shkarkimin e Muellerit, edhe pse ai është emëruar nga Departamenti i Drejtësisë vetëm pak javë më parë, për të hetuar çështjen ruse.

Pas komenteve të shefit ekzekutiv të Newsmax Media-s, Christopher Ruddy, Shtëpia e Bardhë mohoi se presidenti ka plane për të shkarkuar Muellerin, por tha se “ka të drejtë” të bëjë një gjë të tillë.

Pasi një president nuk ka gjasa të përballet me ndjekje penale, pengimi i drejtësisë mund të formojë bazën për votë të besimit në Kongres.

Por, çdo hap për votën e besimit do të përballej me pengesa, pasi do të kërkonte miratimin nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së, e cila kontrollohet nga republikanët e Trumpit.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG