Ndërlidhjet

Comey thotë se ishte “diskredituar” nga “gënjeshtrat” e Shtëpisë së Bardhë


Ish-drejtori i FBI-së, James Comey
Ish-drejtori i FBI-së, James Comey

Ish-drejtori i agjensië FBI, James Comey, ka sugjeruar se presidenti, Donald Trump, ka gënjyer në përshkrimin se kjo agjenci ka probleme madhore dhe tha se sjellja e Trumpit e ka detyruar atë të bëjë shënime të detajizuara në takimet e tyre.

Duke folur në Komitetin e Inteligjencës të Senatit të Shteteve të Bashkuara, Comey tha se pas takimit me presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë, kishte menduar se duhet të shkruante memorandume në të cilat do të shënoheshin detajet e takimit të tyre, pasi “ishte sinqerisht i shqetësuar se ai do të mund të gënjente”.

Comey, i cili ishte shkarkuar nga presidenti muajin e kaluar, kishte menduar se “duhet të shkruaj në mënyrë shumë të detajuar”.

Deklaratat e fuqishme të zotit Comey në komitetin e Senatit ishin kaptina më e re dhe më domethënëse deri tash në trazirën politike, e cila e ka përfshirë Shtëpinë e Bardhë dhe pothuajse pjesën më të madhe të institucioneve në Uashington.

Ajo që pati filluar si një seri e kontakteve të pazakonshme ndërmjet ndihmësve të Trumpit dhe zyrtarëve të Rusisë, tash është përfshirë nga pyetjet nëse Trumpi ka synuar pengimin e hetimit penal të FBI-së lidhur me këshilltarin e tij të parë të sigurisë kombëtare.

Pengimi i drejtësisë është vepër penale në legjislacionin e Shteteve të Bashkuara, megjithqë ka pasur disa debate në mesin e ekspertëve juridikë se në fakt, a do të mund të akuzohej presidenti Trump.

Një varg i raporteve në media, që i kishin detajizuar kontaktet e dyshuara ndërmjet ndihmësve të Trumpit me zyrtarët e jashtëm rusë dhe të vendeve të tjera, ishin përputhur me konkludimin e komunitetit të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara se Moska kishte ndërmarrë fushatë hakeriste dhe propaganduese për të ndërhyrë në procesin zgjedhor të vitit të kaluar në SHBA.

Së paku dy komitete të Kongresit të Shteteve të Bashkuara po i shqyrtojnë këto çështje dhe, po ashtu, agjencia FBI, që e ka filluar hetimin e vet penal në korrik të vitit të kaluar, derisa gara ndërmjet Donald Trumpit dhe kandidates demokrate, Hillary Clinton, kishte hyrë në fazën finale.

Comey, që ishte emëruar nga ish-presidenti, Barack Obama, pat dhënë vetëm indikacione të shkurtëra publike për natyrën dhe fushëveprimin e hetimit të FBI-së.

Në dëshminë në një komitet të Dhomës Përfaqësuese në muajin mars, James Comey e zbuloi ekzistimin e hetimit, por megjithatë me shumë pak detaje.

Njëri prej ndihmësve të presidentit, Donald Trump, nën hetime të FBI-së, është Michael Flynn, që ishte këshilltar për siguri kombëtare i Trumpit. Zoti Flynn ishte shkarkuar në muajin shkurt, pra nuk qëndroi as një muaj në zyren në Shtëpinë e Bardhë, pasi i kishte keqinformuar zyrtarët e presidencës për komunikimet e tij me zyrtarët qeveritarë rusë.

Më 9 maj, presidenti Trump papritmas e shkarkoi zotin Comey, duke pretenduar se Departamenti i Drejtësisë ishte kritik për punën e tij.

Në komentet në Senat, Comey në mënyrë kategorike është shprehur kundër këtij konstatimi, duke thënë se Trump kishte gënjyer.

“Administrata kishte zgjedhur për të më denigruar dhe, që është shumë më e rëndësishme, agjencinë FBI, duke thënë se kjo organizatë ishte e çrregulluar, se është e udhëhequr keq, se punëtorët e kishin humbur besimin në liderin e tyre. Këto ishin gënjeshtra, qartas dhe thjeshtë”, tha Comey.

Senatorët e kanë pyetur zotin Comey nëse paraqet pengim të drejtësisë sugjerimi i Trumpit, që ai ta hedhte poshtë hetimin për Flynnin.

Comey ka ngurruar, duke thënë se kjo është pyetje për këshilltarin special, Robert Mueller, po ashtu, ish-drejtor i FBI-së.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG