Ndërlidhjet

Irak: Betejë për rimarrjen e Tal Afarit nga IS-i


Luftëtarët duke bërë roje nga pozicione mbrojtëse pranë fshatit Sharif, në periferi të Tal Afarit, ku forcat irakiane po përgatiten për rikthimin e ofensivës.
Luftëtarët duke bërë roje nga pozicione mbrojtëse pranë fshatit Sharif, në periferi të Tal Afarit, ku forcat irakiane po përgatiten për rikthimin e ofensivës.

Kryeministri i Irakut, Haidar al-Abadi, thotë se forcat e vendit të tij e kanë filluar ofensivën për rimarrjen e qytetit, Tal Afar, që është njëri nga vendbanimet e fundit nën kontroll të grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS).

Abadi tha të dielën gjatë një fjalimi televiziv se “ka filluar operacioni për çlirimin e Tal Afarit”.

“I them Daeshit se nuk ekziston zgjidhje tjetër pos asaj që të largohen ose të jenë të vrarë”, tha kryeministri Abadi, duke e përdorur shprehjen arabe për Shtetin Islamik.

“Ose dorëzohuni, ose jeni të vrarë”, tha në mënyrë kategorike Abadi.

Para disa ditësh, liderët e lartë ushtarakë amerikanë thanë se forcat irakiane po përgatiteshin për lansimin e sulmit në Tal Afar, pasi e përfunduan betejën e përgjakshme nëntëmujore për ta detyruar Shtetin Islamik që të largohet nga qyteti verior, Mosul.

Vlerësohet se 1,400 ushtarë irakianë janë vrarë dhe 700 të tjerë janë plagosur, në betejën për çlirimin e Mosulit, që ishte nën kontroll të militantëve të Shtetit Islamik prej vitit 2014, kur ku grup kishte okupuar territore të gjëra nga forcat qeveritare në Irak dhe Siri.

Komandanti ushtarak amerikan në Irak, Stephen Townsend, u tha gazetarëve se “ditët e fundit të Mosulit më dukeshin sikur Iwo Jima”, duke iu referuar betejës së përgjakshme në Luftën e Dytë Botërore në Paqësor.

Por, gjeneral Townsend tha se forcat e Qeverisë së Irakut do të jenë “mjaft të gatshme” kur ato ta fillojnë fushatën e tyre kundër Tal Afarit.

Ky qytet është afro 80 kilometra nga Mosuli dhe 150 kilometra nga kufiri sirian dhe paraqet njërën prej bazave të fundit në territorin që ky grup ekstremist e mban ende në Irak.

Zyrtarët irakianë thonë se në Tal Afar gjenden 1,400 ose 1,600 militantë të Shtetit Islamik, shumica prej tyre luftëtarë të jashtëm.

Gjenerali irakian, Yahia Rasool, tha se Tal Afari, në masë të madhe, është rrethuar nga forcat qeveritare dhe vullnetarët shiitë në pjesën jugore, ndërsa në pjesën veriore gjenden pjesëtarët e njësiteve kurde të njohura me emrin Peshmerga.

“Nuk mendoj se do të jetë betejë më e vështirë se ajo në Mosul, duke pasur parasysh përvojën që ne e kemi nga Mosuli”, tha gjenerali Rasool.

Organizata Këshilli Norvegjez i Refugjatëve ka raportuar se mijëra njerëz po largohen nga ky qytet duke lëvizur kah rajoni nën kontroll të kurdëve në pjesën veriore të Irakut, për shkak të ofensivës së paralajmëruar.

Luftëtarët e Shtetit Islamik ende e kanë kontrollin në Havija - në provincën Kirkuk, 300 kilometra në veri të kryeqytetit Bagdad, dhe hapësirat në provincën perëndimore, Anbar.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG