Ndërlidhjet

Trump: SHBA do ta shkatërrojë Korenë V. nëse i duhet të mbrohet

  • RFE /RL

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shfrytëzoi fjalimin e parë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për t’iu bërë thirrje vendeve anëtare që të marrin qëndrim më të ashpr kundër Koresë Veriore dhe Iranit.

Ai kërcënoi me “shkatërrimin total” të Koresë së Veriut nëse Kombet e Bashkuara dështojnë të adresojnë kërcënimet që ajo paraqet me programin e armëve bërthamore.

“Shtetet e Bashkuara kanë forcë dhe durim të madh, por nëse detyrohen të mbrojnë veten dhe aleatët, ne nuk do të kemi zgjedhje tjetër, pos ta shkatërrojmë tërësisht Korenë e Veriut”, tha Trump.

Phenjani, vetëm gjatë muajit shtator, ka testuar një bombë të dyshuar hidrogjeni dhe një raketë balistike me rreze të gjatë veprimi.

Trump i mirëpriti sanksionet e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kundër Koresë Veriore, por tha se duhet bërë më shumë.

Trump tha se është koha që të gjitha vendet të punojnë së bashku për të izoluar regjimin e Kim Jong Unit, derisa ai të ndalojë sjelljen armiqësore.

Trump po ashtu tha se bota duhet t’i kundërvihet Iranit, të cilin e quajti “një tjetër regjim vrasës”, i cili “minon paqen në të gjithë Lindjen e Mesme”.

Ai tha se Teherani nuk duhet të lejohet të vazhdojë zhvillimin e "raketave të rrezikshme".

Duke folur për marrëveshjen bërthamore midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore, Trump i tha Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se nuk mund të pajtohet me një marrëveshje, nëse ajo shërben si mbulesë për zhvillimin e programit bërthamor.

“Marrëveshja me Iranin ishte një nga transaksionet më të këqija dhe më të njëanshme që ka bërë SHBA-ja. Sinqerisht, marrëveshja është e turpshme për SHBA-në”, tha presidenti amerikan, duke iu refereuar marrëveshjes së epokës së paraardhësit të tij, Barack Obama.

Qeveria iraniane maskon një diktaturë të korruptuar me maskën e rreme të demokracisë, shtoi Trump.

Ai kritikoi edhe Rusinë dhe Kinën dhe tha se shtetet duhet t’i flakin kërcënimet ndaj sovranitetit “nisur nga Ukraina deri në Detin e Kinës Jugore”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG