Ndërlidhjet

Koreja e Veriut sfidon fuqitë botërore me testimin e raketave


Raketa balistike
Raketa balistike

Testimet raketore të Koresë së Veriut në muajt e fundit, kanë nxitur reagime dhe polemika jo vetëm të fuqive botërore, por edhe te të gjitha entitetet paqeruajtëse në botë.

Koreja e Veriut ka kryer të premten provën e gjashtë bërthamore mbi Japoni, duke provokuar reagime nga fuqitë botërore, të cilat vetëm pak ditë më parë, kanë miratuar sanksione të reja kundër Phenianit, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Kinës dhe Rusisë ditë më parë, që të ndërmarrin “veprime të drejtpërdrejta” pas testimit të fundit nga Koreja e Veriut.

Në anën tjetër, Kina dhe Rusia kanë refuzuar thirrjen e SHBA-së për veprime shtesë ndaj Koresë së Veriut. Ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vasily Nebenzya, ka thënë se Rusia do të përforcojë sanksionet e ngarkuara nga OKB-ja, por nuk do të shkojë më tej se kaq.

Fuqitë botërore po vazhdojnë polemikat me njëra-tjetrën, se si të vazhdohet tutje me, siç i quajtën ata, provokimin e Koresë Veriore.

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, në një deklaratë, fajësoi Kinën dhe Rusinë për bashkëpunimin me Korenë Veriore, duke bërë thirrje që ky bashkëpunim të ndalojë.

“Kina e furnizon Korenë Veriore me pjesën më të madhe të naftës së nevojshme”, tha sekretari Tillerson, dhe shtoi se “Rusia është punëdhënësi më i madh i forcës punëtore veri-koreane”.

Deklarata e Tillersonit erdhi pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, planifikoi një takim urgjent rreth testimit të fundit të raketës balistike, për të cilën zyrtarët e SHBA-së dhe ata të Koresë së Jugut, thanë se ka kapacitet për të arritur territorin e SHBA-së dhe ishullin Guam, edhe pse një testim i tillë asnjëherë nuk e ka kërcënuar territorin e Shteteve të Bashkuara.

Ndërsa, kryeministri japonez, Shinzo Abe, testimin e fundit e quajti si “ të egër” dhe, kërkoi reagime ndërkombëtare kundër këtyre veprimeve të rrezikshme dhe provokuese të Koresë së Veriut.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së, në fillim të javës, votoi njëzëri për sanksione më të forta kundër Phenianit, duke ndaluar eksportet e tekstilit dhe të naftës.

Sanksionet, po ashtu, i bëjnë thirrje Rusisë dhe Kinës, që të ndalojë lejet e punës në Korenë e Veriut, ndalesë kjo që vlerësohet se i shkakton humbje Phenianit rreth 500 milionë dollarë, nga të ardhurat e dërguara në shtëpi nga punëtorët.

Testimi i raketës së gjashtë, erdhi vetëm një ditë pasi Pheniani, i hodhi poshtë sanksionet e OKB-së, dhe tha se SHBA-ja do të përballet së shpejti me “dhimbjen më të madhe” që ka pasur ndonjëherë.

Ambasadori veri-korean në OKB, Han Tae Song, kishte thënë se SHBA-ja është “e fiksuar” në pengimin e zhvillimit të Koresë Veriore si forcë bërthamore.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në një deklaratë javë më parë, pati thënë se vendi i tij është i përgatitur të mbrojë veten dhe aleatët “duke përdorur gamën e plotë të kapaciteteve diplomatike, konvencionale dhe bërthamore”.

Derisa reagimet vazhdojnë, SHBA-ja ka tendenca që t’i rrisë sanksionet ndaj Koresë së Veriut.

Në lidhje me sanksionet e miratuara më parë, Tillerson tha se ato janë “ pika më e ulët, jo më e lartë, e veprimeve që duhet t’i ndërmarrim. Ne u bëjmë thirrje të gjitha shteteve që të marrin masa të reja të sanksioneve ndaj regjimit të Kim Jong un-it”.

Koreja e Veriut kishte lëshuar një raketë balistike më 29 gusht, e cila kaloi mbi ishullin Hokkaido të Japonisë dhe ra në Oqeanin Paqësor, rrugë të cilën e testoi edhe me raketën e fundit. Programi me raketa bërthamore dhe balistike i Koresë së Veriut është i ndaluar me rezolutë të Kombeve të Bashkuara, por Pheniani vazhdon të bëjë prova, duke sfiduar gati të gjitha fuqitë botërore.

Përgatiti: Linda Gjokaj

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG