Ndërlidhjet

“Sulmuesi i Nju Jorkut” mund të dërgohet në Guantanamo!

  • RFE /RL

Nju Jork, 31 tetor, 2017.

Disa ligjvënës amerikanë i bënë thirrje Shtëpisë së Bardhë që ta dërgojë Sayfullo Saipovin, të akuzuarin për vrasjen e tetë personave në Nju Jork, në burgun ushtarak në Gunatnamo.

Presidenti Donald Trump tha se po e shqyrton këtë gjë, e cila fillimisht do të kërkonte nga ai që ta shpallte Saipovin “luftëtar të armikut”.

“Do ta konsideroj me siguri. Dërgojeni atë në Gitmo (v.j. Guantanamo)”, tha Trump. Në një postim në Twitter, presidenti po ashtu tha se beson se Saipov “duhet të dënohet me vdekje”, pasi, pas sulmit, ka thënë se është “i lumtur” dhe ka shprehur besnikëri ndaj grupit militant Shteti Islamik.

Sayfullo Saipov
Sayfullo Saipov

Burgu ushtarak në bazën detare të SHBA-së në Kubë është shfrytëzuar në të kaluarën kryesisht për të burgosur militantët e kapur nga forcat amerikane në fushat e betejës në Afganistan dhe Irak.

Paraardhësi i Trumpit, Barack Obama, ka shprehur keqardhje për praktikën, e cila, sipas tij dhe kritikëve të tjerë, u mohon të drejtat themelore ligjore të të burgosurve, dhe ka kërkuar mbylljen e burgut.

Asnjë i paraburgosur nuk është dërguar në Guantanamo qysh në vitin 2008. Për më tepër, Saipov është banor i ligjshëm i SHBA-së dhe normalisht ka të drejtat ligjore që i janë dhënë me sistemin civil të drejtësisë amerikane.

Por, kryetari i Komitetit të Senatit për Shërbime të Armatosura, John McCain, ishte midis atyre në Kongres që i bënë thirrje Trumpit për ta dërguar Saipovin në Guantanamo.

“Nuk duhet t’i konsiderojmë këto sulme në tokën tonë si të izoluara, por t’i njohim ato ashtu siç janë: akte të luftës”, tha McCain.

Senatori republikan, Lindsey Graham, po ashtu i bëri thirrje Trumpit që ta shpallë Saipovin “luftëtar të armikut”. Graham tha se ai duhet të merret më shumë në pyetje për të përcaktuar me siguri nëse ka vepruar i vetëm, ashtu siç kanë thënë autoritetet në Nju Jork.

“Është qesharake të besojmë se një ditë intervistash në spital na tregon gjithçka që duhet të dimë për lidhjet terroriste të Saipovit”, tha Graham.

Saipov, me prejardhje nga Uzbekistani, tashmë është akuzuar për terrorizëm nga një gjykatë e qarkut në Nju Jork. Më 31 tetor, ai dyshohet se ka goditur me kamion kalimtarët në një zonë të çiklistëve në lagjen Menhatën, duke vrarë tetë persona dhe plagosur disa të tjerë.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG