Ndërlidhjet

Kosova me gjashtë bashkësi fetare


Kuvendi i Kosovës

Me 61 vota për, 4 kundër dhe 13 absetime, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare në Kosovë. Për plotësim-ndryshimet në këtë ligj kanë votuar edhe 15 deputetë nga radhët e komuniteteve pakicë.

Para se t’i nënshtrohet votimit, Kuvendi ka zhvilluar një debat në lidhje me ndryshimet e propozuara në Ligjin për lirinë fetare në Kosovë.

Me ndryshimet që i janë bërë këtij ligji, nga pesë bashkësi fetare në Kosovë, Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Ortodokse Serbe, Kisha Katolike, Bashkësia e Besimit Hebre dhe Kisha Protestante Ungjillore, i është shtuar edhe një bashkësi fetare, ajo e Tarikateve të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në prezantimin e projektligjit për lirinë fetare para deputetëve ka thënë se këto bashkësi përbëjnë edhe trashëgimin historike, kulturore dhe shoqërore të vendit.

Ai ka shtuar se projektligji është hartuar duke u bazuar në konventat ndërkombëtare dhe opinionin e Komisioni të Venedikut.

Haradinaj ka ftuar deputetët që ky ligj të miratohet dhe ka theksuar se miratimi i këtij ligji është njëri nga kushtet për anëtarësim në UNESCO.

“Nevoja për nxjerrjen e këtij projektligji konsiston në avancimin e kornizës ligjore e cila rregullon statusin juridik të bashkësive fetare, organin kompetent për regjistrimin, gjegjësisht çregjistrimin e bashkësive fetare në Kosovë, pozitën e tyre juridike, fondet dhe donacionet e tyre”, ka thënë Haradinaj.

Lidhur më këtë projektligj kryeministri Haradinaj ka propozuar riformulim të disa neneve.

“Propozojë që neni 6 i projektligji në të cilin shtohet neni 7 B, regjistrimi i bashkësive fetare paragrafi 2, nën paragrafi 2.2 të riformulohet si në vijim. Në rastin e themelimit të bashkësive fetare të paraqesin listën e anëtarëve - shtetas të moshës madhore të Kosovës, më herët ka qenë numri 50 tani nuk është numri, por përmbajtja dhe tek paragrafi i 3 i nenit t të ri 12 A tek fondet fshihet në tërësi”, ka sqaruar Haradinaj.

Deputetët kanë kërkuar qartësi rreth këtyre propozimeve të kryeministrit Haradinaj. Ata kanë thënë se duhet të shikohet me kujdes kuota para se të vendos cila do të jetë masa e arsyeshme.

Te kuota, deputetët kanë kërkuar që nëse hiqet numri 50 të propozohet një numër tjetër, pasi që, sipas tyre, në formën siç është propozuar mund të regjistrohet një bashkësi fetare edhe me 5 anëtarë.

Gjatë debatit, deputetët thënë se ka mangësi në projektligj që duhet të trajtohen seriozisht, për të mos krijuar situata të paqarta.

Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje ka theksuar se në ndryshimet që i janë bërë ligjit nuk ekziston kurrfarë dallimi ligjor në mes bashkësive fetare tradicionale dhe historike që kanë qenë dhe atyre të reja të cilat do të krijohen.

“Është mirë që më në fund në Kosovë po vjen një ligj që po ua njeh statusin juridik bashkësive fetare, mirëpo një problem që shfaqet në fillim të ligjit, është se nuk ekziston asnjë dallim ligjor në këto gjashtë bashkësi fetare, të cilat janë vendosur si bashkësi tradicionale dhe historike, të cilat kanë një kohëzgjatje, kanë një organizim të etabluar. Mirëpo, tash me këto rregullat se si të formohen këto bashkësitë e reja fetare nuk ka kurrfarë dallimi në mes bashkësive tradicionale historike dhe këtyre që do të krijohen”, ka thënë Konjufca.

Ndërkaq, Lirije Kajtazi deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka kërkuar që disa nene të këtij projektligji të qartësohen.

“Gjatë amandamentimit projektligji do të qartësojë disa çështje që e bëjnë të aplikueshëm ligjin. Ne kemi evidentuar disa prej tyre, siç janë kriteret për regjistrim, të definohen mënyra se si do të zgjidhet komisioni për regjistrimin e bashkësive fetare, qartësimi më i thuktë i nenit që rregullon mënyrën se si bashkësitë fetare kanë të drejtë themelimin e institucioneve të ndryshme edukative arsimore. Kjo çështje është e ndjeshme dhe duhet të rregullohet në mënyrë të qartë”, ka thënë Kajtazi.

Në parim projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare në Kosovë, e ka përkrahur edhe Grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe grupet tjera parlamentare që vijnë nga komunitetet.

Deputeti i Listës Serbe, Sasha Milosavljeviq, ka theksuar se subjekti politik, të cilit ai i përket, e përkrahë në parim projektligjin për ndryshimin e Ligjit për lirinë fetare.

“Grupi parlamentar i Listës Serbe e ka shqyrtuar projektligjin për lirinë fetare. Ne do ta mbështesim në parim këtë ligj. Ndërkaq, kontributin tonë do ta japim përmes komisionit funksional dhe përmes komisioneve të përhershme”, theksoi Milosavljeviq.

Ndryshe, Departamenti Amerikan i Shtetit në raportet për liritë fetare, pati nënvizuar mungesën e ligjit përkatës për definimin e pozitës juridike të bashkësive fetare në Kosovë.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG