Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Myftiu i Maqedonisë nderohet nga presidenti Trump


Sulejman Rexhepi, fotografi nga arkivi

Kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë (BFI), Sulejman Rexhepi në praninë e zyrtarëve të lartë të shteti, diplomatëve si dhe personaliteteve të larta të jetës fetare të vendit dhe rajonit, i është ndarë çmimi presidencial “për arritje jetësore”, nga presidenti i Shteteve të bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Ky çmim i është ndarë Rexhepit për shërbimin e bërë që ka bërë si kryetar i Bashkësisë Fetare Islame, ndaj shoqërisë gjatë 16 viteve sa është në këtë pozitë.

Rexhepi tha se jetën e tij ia ka kushtuar ruajtjes së islamit tradicional shqiptar, i cili shpesh është kanosur nga grupe të ndryshme fetare.

Otto Von Feigenblatt, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Universitetin Global të Floridës, pas ndarjes së çmimit, tha se shqiptarët paraqesin model të kultivimit dhe harmonisë ndërfetare. Ai tha se Rexhepi duhet të jetë inspirim për gjeneratat më të reja.

“Ju keni shërbyer si model për frymën amerikane. Angazhimi i juaj ishte i fokusuar në ngritjen e mirëbesimit dhe afrimit mes njerëzve, pa dallim përkatësisë fetare dhe etnike, duke dhënë kontribut të veçantë gjatë ballafaqimit me sfidat më të mëdha të kohës. Kombi ynë është i kënaqur nga angazhimi i juaj në punën që po bëni”, tha Oto Van Vegenberg.

Ndërkaq, kryetar i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Sulejman Rexhepi pasi mori çmimin në fjalë, tha se populli shqiptar në Maqedoni dhe jo vetëm këtu, por në tërë rajonin, ka dëshmuar për promovimin e frymës së tolerancës, paqes dhe respektit të ndërsjellë.

“Sot detyrimet tona si popull, por edhe si fetarë dhe anëtarë të besimit islam, angazhimet e tona duhet të jenë të sinkronizuara , njëherësh në përputhje dhe harmoni me përpjekjet amerikane për të ruajtur stabilitetin e vendit dhe për ta çuar Maqedoninë si shtet shumetnikë, të ecë para drejt integrimeve euroatlantike. Ky është synim i popullit shqiptar, ky është dhe synim i Maqedonisë, i të gjithë qytetarëve po dhe angazhim i imi si teolog dhe prijës fetar”, tha Rexhepi.

Para të pranishmëve iu drejtua dhe përfaqësuesi i Akademisë së Shkencave Sociale të Floridës për Ballkanin, Ylli Paja.

“Shkupi është një Jerusalem i vogël, është një vend ku shqiptarët më së miri mund t’i shprehin vlerat e veta njerëzore e shpirtërore, vend ku kanë shumëçka për të ndarë dhe për të kontribuar për bashkëjetesë të lumtur me të gjithë, me popullin maqedonas dhe me popujt e tjerë”, u shpreh profesor Paja.

Myftiu Rexhepi në vazhdimësi ka theksuar se politikat e Qeverisë së kaluar, ishin gjenerator i konflikteve ndërfetare dhe ndëretnike, sipas të cilit, shteti duke mos i trajtuar në formë të barabartë të dy komunitetet, sa i përket ndihmës financiare për objektet fetare, krijon ndasi të theksuara.

XS
SM
MD
LG