Ndërlidhjet

SHBA-ja, Rusia përplasen rreth Sirisë


Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley.

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara janë përplasur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara rreth dyshimeve se Qeveria e Sirisë ka përdorur sërish armët kimike në një zonë të kontrolluar nga rebelët.

Ambasadorja e SHBA-së, Nikki Haley, e akuzoi Rusinë për bllokimin e hetimeve mbi përdorimin e mundshëm të armëve kimike nga ushtria e presidentit sirian, Bashar al-Assad, në provincën e Goutas Lindore.

Sulmi ka ndodhur në fundjavë dhe Haley tha se Rusia i bllokon hetimet pavarësisht “dëshmive të dukshme për dhjetëra viktima”.

“Rusia ka vonuar miratimin e deklaratës – dënimit të thjeshtë të vrasjes së fëmijëve sirianë me gaz klori”, tha Haley.

“Ky Këshill ka qenë i zëshëm duke kërkuar fundin e përdorimit të armëve kimike në Siri dhe ata ende vazhdojnë”, shtoi ajo.

Rusia, e cila kryen operacione ushtarake në Siri, në mbështetje të Assadit, qysh në vitin 2015, i mohoi akuzat, duke i cilësuar si “shpifje”.

“Shihet qartë se qëllimi është të akuzohet Qeveria siriane për përdorimin e armëve kimike, por asnjë autor nuk është identifikuar”, tha ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia.

Gouta Lindore
Gouta Lindore

Në një tjetër zhvillim, Departamenti amerikan i Shtetit tha përmes një deklarate se SHBA “është shumë e shqetësuar” nga dyshimet e vazhdueshme për përdorimin e gazit të klorit nga forcat siriane, me qëllim “terrorizmin e civilëve të pafajshëm”.

Deklarata vuri në dukje se ka prova për gjashtë sulme të raportuara me armë kimike në 30 ditët e kaluara.

“Duke mbrojtur regjimin sirian nga llogaridhënia, Rusia nuk i përmbush angazhimet e saj. Përdorimi i armëve kimike nga të gjitha palët në Siri duhet të ndalet. Njerëzit e Sirisë po vuajnë; pjesa tjetër e botës po vëzhgon”, thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.

Siria e ka mohuar vazhdimisht përdorimin e armëve kimike. Një ekip hetues i OKB-së ka gjetur po ashtu se grupi ekstremist Shteti Islamik ka qenë përgjegjës për përdorimin e gazit mustardë në vitin 2015.

Rusia i ka dhënë Asadit mbështetje të madhe diplomatike gjatë gjithë luftës, duke përdorur forcën e vetos si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, në mbrojtje të tij dhe të qeverisë së tij.

Lufta në Siri ka nisur në vitin 2011 dhe ka lënë të vrarë mbi 400,000 njerëz dhe ka zhvendosur miliona.

Moska e ka mbështetur Asadin edhe në fushën e betejës. Ajo ka nisur një fushatë të sulmeve ajrore kundër kundërshtarëve të Qeverisë siriane në vitin 2015 dhe ka rritur përfshirjen e saj ushtarake në terren.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG