Ndërlidhjet

Shqipëria mirëpret strategjinë e BE-së për zgjerim


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se Qeveria e tij përshëndet Strategjinë e re të Komisionit Evropian për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, duke shprehur shpresën për një hapje të shpejtë të bisedimeve të pranimit të vendit në Bashkimin Evropian.

"Hapja e negociatave për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian është më afër se kurrë," tha Rama pas botimit të Strategjisë së re të BE.

Komisioni Evropian pohoi gatishmërinë e tij për të hapur negociatat me Shqipërinë për pranimin e saj në BE, në Strategjinë e re të publikuar të martën në Strasburg.

"Komisioni është gati të përgatisë rekomandimin për hapjen e negociatave të pranimit në bazë të kushteve të përmbushura," thuhet në Strategjinë e Komisionit Evropian të shpalosur të martën nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme Federica Mogherini dhe Komisionarit për Zgjerim të BE-së, Johannes Hahn.

“Gjatë tre viteve të fundit, ne kemi arritur rezultate tashmë të pabesueshme. Investimet tona po rriten në Ballkanin Perëndimor. Lidhjet tona ekonomike janë aq të forta sa nuk kanë qenë kurrë. Tregtia jonë është vazhdimisht në rritje - besoj se është rreth 75 për qind. Siguria jonë është gjithnjë e më e lidhur dhe politika jonë e jashtme dhe e sigurisë është gjithnjë e më e koordinuar”.

“Nga gjashtë që kemi, dy nga partnerët e Ballkanit Perëndimor - Mali i Zi dhe Shqipëria - janë 100 për qind të njëjta me pozicionet tona të përbashkëta të politikës së jashtme dhe të sigurisë”, tha Mogherini.

Edhe përfaqësuesja e BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin tha se “Shqipëria ka në fakt një mundësi të vërtetë dhe të menjëhershme për të ecur para drejt hapjes së negociatave”, duke shtuar se “sa më shumë reforma aq më shpejt do të arrini objektivin”.

Vlahutin tha se kjo është një strategji përcakton shumë qartë prioritetet për të gjitha vendet e rajonit, pavarësisht nga faza teknike në marrëdhëniet e tyre kontraktuale me BE-në.

Mirëpo ajo shtoi se “këto prioritete ndahen edhe nga qytetarët e rajonit të cilët kërkojnë standardet e BE-së kur bëhet fjalë: sundimi i ligjit, respektimi i të drejtave themelore dhe qeverisja e mirë, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe forcimin e funksionimit të institucioneve demokratike”.

Edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati tha se mirëpriti vlerësimin e Komisionit Evropian dhe gatishmërinë për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë.


“Ne besojmë që ky vlerësim i Komisionit do të mbështetet njëzëri nga vendet anëtarë të Bashkimit Evropian, si një investim i qëndrueshëm për procesin e pakthyeshëm të reformave në Shqipëri dhe stabilitetin demokratik të rajonit. Duke pasur parasysh hendekun zhvillimor mes vendeve të rajonit dhe BE-së, mirëpresim që angazhimet e kësaj Strategjie të specifikohen më tej me programe e instrumente financiare në mbështetje të infrastrukturës, ndërlidhjes, arsimit e sigurisë energjetike të rajonit tonë”, tha Bushati.

Megjithatë, Strategjia e re, ka parashikuar afate kohore vetëm për Serbinë dhe Malin e Zi, sipas së cilës, këto dy vende mund të anëtarësohen në BE diku në vitin 2025. Përderisa vendet tjera si Shqipëria, Maqedonia, Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova janë përfshirë në Strategjinë e Zgjerimit, por pa ndonjë afat kohor për anëtarësim.

Shqipërisë, që është anëtare e NATO-s që nga viti 2009, i është dhënë statusi i kandidatit për BE në vitin 2014 dhe shpreson që negociatat për anëtarësim t’i fillojë këtë vit.

XS
SM
MD
LG