Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Ministria e Jashtme turke reagon lidhur me protestat para ambasadës turke në Prishtinë


Nxënësit e shkollës "Mehmet Akif" kanë protestuar kundër deportimit të mësimdhënësve të tyre turq

Zëdhënësi i Minsitrisë së Jashtme turke, Hami Aksoy, ka reaguar lidhur me protestat para ambasadës turke në Prishtinë, pas arrestimit dhe më pas deportimit të gjashtë shtetasve turq për në Turqi.

Turqia thotë se gjashtë shtetasit e deportuar janë pjesë e lëvizjes së klerikut fetar, Fethullah Gulen, lëvizje të cilën Ankaraja e cilëson terroriste dhe i referohet me akronimin FETO.

“Organizata terroriste FETO edhe njëherë ka treguar fytyrën e vërtetë me veprimet e tyre kundër Turqisë dhe misionit të saj në Kosovë”, ka thënë Askoy, pasi para ambasadës turke në Prishtinë qytetarët kishin protestuar, duke dyshuar se gjashtë shtetasit turq mund të jenë brenda objektit të ambasadës.

Familjarët e të dëbuarve, të cilët gjenden në Kosovë, kanë dyshuar se shtetasit turq mund të jenë brenda ambasadës turke në Prishtinë. Ata po kërkojnë nga institucionet e Kosovës, që t’u jap garanci, që e njëjta gjë të mos u ndodhë edhe atyre.

Zëdhënësi Askoy ka thënë se është përgjegjësi e autoriteteve të Kosovës, që si vend nikoqir, t’u ofrojë siguri qytetarëve turq, misioneve të saj diplomatike, zyrtarëve dhe kompanive turke që veprojnë në Kosovë.

“Ne gjithashtu presim nga miqtë tanë që të jenë të kujdesshëm dhe të jenë të pakompromis ndaj manipulimeve të kësaj organizate terroriste dhe qarqeve që e mbështesin atë”, thuhet në reagimin e publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Jashtme turke.

“Në anën tjetër, lajmet provokuese në media ndaj ambasadës sonë dhe ambasadores sonë në Prishtinë, ku pretendohet se personat e ekstraduar nga Kosova janë ende në ambasadën turke në Prishtinë, janë të pabaza. Ne fuqishëm kundërshtojmë dhe dënojmë këto manipulime mediale”, thuhet në fund të reagimit të zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme turke, Hami Aksoy.

Të enjten, gjashtë shtetas turq – pesë prej tyre punonjës në shkollën ‘Mehmet Akif’ në Kosovë dhe një mjek turk– janë arrestuar në Kosovë dhe më pas janë deportuar në Turqi.

Krerët institucionalë të Kosovës kanë thënë se nuk kanë qenë në dijeni lidhur me këtë operacion. Në një ditë pas deportimit të shtetasve turq, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka shkarkuar ministrin e Brendshëm, Flamur Sefajn dhe shefin e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, Driton Gashi.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan e ka kërcënuar kryeministrin Haradinaj, pas qëndrimeve të këtij të fundit, kundër dëbimit të shtetasve turq.

Erdogan ka thënë se Haradinaj “do të paguajë” për këto qëndrime, duke thënë se që kur kryeministri i Kosovës “mbron ata që punojnë për të bërë grusht shtet ndaj Republikës Turke”.

Erdogan fajëson Fethullah Gulenin se qëndron prapa tentim grusht shtetit të vitit 2016 dhe e cilëson lëvizjen e tij si terroriste.

XS
SM
MD
LG