Ndërlidhjet

Familjet e të dëbuarve kërkojnë garanci nga Kosova


Familjarët duke pritur të premten në orët e vona të mbrëmjes para Aeroportit Ndërkombëtar në Prishtinë.
Familjarët duke pritur të premten në orët e vona të mbrëmjes para Aeroportit Ndërkombëtar në Prishtinë.

Udhëheqësit e institucioneve qendrore në Kosovë kanë pranuar se deportimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova - pesë nga ta punonjës të Institucionit Arsimor Gulistan, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen, si dhe një mjek turk në Kosovë - ka qenë gabim.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e fajëson klerikun Gulen për një përpjekje grusht-shteti në Turqi, dy vjet më parë.

Duke mos qenë, siç kanë thënë, fare të informuar për këtë operacion dëbimi, presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit, kanë kërkuar sqarime shtesë për defektet në funksionimin e institucioneve në ndërlidhje me këtë rast.

Gjashtë shtetasve turq u kanë mbetur familjet në Kosovë, që numërojnë rreth 20 pjesëtarë, në një shtet të huaj për ta.

Olcay Demirez, bashkëshortja e drejtorit të shkollës “Mehmet Akif” në Gjakovë, Kahraman Demirez, ka mbetur me një fëmijë mbi 3 vjeç në Kosovë. Ajo punon si mësimdhënëse në këtë shkollë dhe ka frikë nga dëbimi.

“Tash për tash as ne nuk kemi siguri që nesër në mëngjes kur shkoj në punë, nuk vijnë dhe të na dëbojnë. Për këtë kemi kërkuar nga udhëheqësit shtetërorë që të na bindin se nuk do të veprojnë njëjtë sikurse me gjashtë shtetasit tjetër turq”, ka thënë ajo.

Familjarët e shtetasve të dëbuar ishin mbledhur të shtunën para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në Prishtinë, në kërkim të informacioneve për fatin e të dëbuarve.

Familjet e të dëbuarve kërkojnë garanci nga Kosova
Familjet e të dëbuarve kërkojnë garanci nga Kosova

Zonja Demirez ka leje qëndrimi në Kosovë për pesë vjet dhe kërkon nga organet shtetërore që t’i ofrojnë siguri:

"Nëse në mënyrë zyrtare na jepet një deklaratë që do të jemi të sigurt, ne do vazhdojmë të jetojmë dhe të punojmë në Kosovë”..

Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje të kontaktojë përfaqësues të institucioneve në Kosovë, por ata nuk kanë pranuar të flasin.

Urim Vokshi, avokat i njërës nga familjet e gjashtë shtetasve të deportuar, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se familjarët po ndihen të kërcënuar për fatin e tyre.

“Familjarët janë të bindur se janë duke qëndruar në mënyrë të ligjshme dhe të njëjtit janë të bindur se do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë, nuk kanë humbur shpresën në institucionet e Kosovës. Ata nuk dëshirojnë t'i mbyllin shkollat, ata dëshirojnë të vazhdojnë", ka thënë Vokshi.

Të gjashtë shtetasit turq jetonin tash e 12 vjet në Kosovë dhe kanë pasur leje qëndrimi. Disa nga ta, madje, deri në vitin 2021 dhe 2023.

Statusi i familjeve të tyre rregullohet në bazë të Ligjit për të huajt, ligj ky që rregullon kushtet e hyrjes, lëvizjes, qëndrimit dhe punësimit të të huajve në territorin e Republikës së Kosovës.

Sipas këtij Ligji, leje qëndrimi i përhershëm u revokohet të huajit, në rastet kur, “i huaji qëndron jashtë Republikës së Kosovës pandërprerë më shumë se një vit; nëse konstatohet se me vetëdije ka dhënë informacion të rremë ose i ka fshehur me vetëdije qëllimet dhe rrethanat që ishin me rëndësi për qëndrim të përhershëm; nëse paraqet rrezik për rendin publik, sigurinë shtetërore apo shëndetin publik”.

Në anën tjetër, Avokati i Popullit i Kosovës, Hilmi Jashari, thotë se leja e qëndrimit të familjarëve të personave të dëbuar, nuk duhet të revokohet. Madje, sipas tij, shteti i Kosovës do të duhej të kompensonte dëmin e shkaktuar te këto familje.

“Duhet një kompensim, sepse është bërë një dëm në këtë situatë dhe do të duhej një konfirmim nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Kjo është procedura e rregullt që duhet ndjekur në këtë situatë. Çdo procedurë tjetër është e paarsyeshme. Është policia e shtetit, sepse shteti ka pasur kontrollin e plotë në këtë situatë dhe ata mbahen përgjegjës për çdo shkelje që ka ndodhur”.

Aksioni i së enjtes ka nxitur reagime nga më të ndryshmet, posaçërisht nga organizatat për të drejtat e njeriut, të cilat kanë dënuar veprimin e institucioneve të Kosovës. Në këtë kuadër, Todor Gardos, hulumtues për Evropën Lindore dhe Ballkanin në Human Rihgts Watch ka thënë se kjo organizatë kërkon nga krerët institucionalë të Kosovës që të nisin hetime dhe të shpjegojnë se si shtetasit turq u dëbuan për në Turqi, vend ku mund të përballen me “torturë”.

“Vendimi i Kosovës për të arrestuar gjashtë shtetas turq dhe për t’i dorëzuar ata tek autoritetet turke, tregon mospërfillje për të drejtat e njeriut dhe sundim të ligjit".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG