Ndërlidhjet

Haley: SHBA do të vazhdojë presionin nëse Siria teston gatishmërinë tonë


Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley
Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres u ka bërë thirrje të gjitha shteteve të “tregojnë durim në këto situatë të rrezikshme dhe të mënjanjojnë ndonjë akt që mund të përshkallëzojë apo përkeqësojë vuajtjen e popullit sirian”.

Me këtë rast ai i është referuar situatës pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Francës në tri baza qeveritare të Sirisë.

Ai ka thënë se hetuesit ndërkombëtarë kanë qenë në Siri dhe të gatshëm për të vizituar vendin e sulmit të dyshuar me armë kimike në Duma.

Ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya
Ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya

Ambasadori rus në Këshillin e Sigurimit në Kombet e Bashkuara, Vassily Nebenzya, ka thënë se sulmet e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj ka qenë “akt i agresionit” kundër shtetit sovran.

Ai ka thënë se veprimi i këtyre shteteve ka demonstruar një shpërfillje të ligjit ndërkombëtar.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley ka thënë se sulmet janë planifikuar me kujdes për të minimizuar viktimat civile.

Ajo ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të ndjekin secilin vend që mund të përdorë apo ndihmon në përdorimin e armëve kimike.

Haley ka përsëritur se presidenti Trump ka deklaruar që nëse Siria përdor sërish gaz helmues, SHBA-ja është e gatshme për të reaguar.

Trump urdhëron nisjen e sulmeve në Siri
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:05 0:00

​“Ne jemi të bindur se kemi paralizuar programin e armëve kimike të Sirisë. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë këtë presion, nëse regjimi sirian është aq i pamend sa të testojë gadishmërinë tonë”, ka thënë ajo.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka përshëndetur sulmet ushtarake në Siri, duke thënë se ato janë kryer në “mënyrë të përkryer” dhe se “misioni ka përfunduar”.

Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë bombarduar tri caqe qeveritare, duke shënjestruar ato që i kanë cilësuar si baza të armëve kimike.

Pamje të sulmeve amerikane në Siri
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:16 0:00

​Sulmet kanë qenë përgjigje ndaj sulmit të dyshuar me armë kimike në qytetin Duma, javën e kaluar.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se ai ka dënuar sulmet Perëndimore, “në mënyrën më serioze”.

Rusia, aleatja kryesore e Sirisë ka kërcënuar me hakmarrje ushtarake nëse goditet ndonjë forcë ruse.

Pentagoni ka thënë të shtunën se sulmet amerikane në Siri në natën e mbrëmshme kanë qëlluar me sukes secilin cak dhe se kanë pasur për qëllim dërgimin e një sinjali te Qeveria siriane, si dhe për pengimin e përdorimit eventual të armëve kimike në të ardhmen.

Togeri, Kenneth F. McKenzie u ka thënë gazetarëve se sulmet kanë qenë precize dhe shumë efektive.

Presidenti sirian, Bashar al- Assad, ka thënë se sulmet e Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Francës kundër Sirisë, do të rrisin vendosshmërinë e Sirisë për “të luftuar terrorizmin në çdo inç” të shtetit.

Ndërkohë gjenerali, Sergei Rudskoi ka thënë se Rusia mund të konsiderojë furnizimin e Sirisë me sisteme raketore S-300.

Rudskoi ka thënë se aksioni amerikan në Siri kanë pasur qëllim destabilizimin e situatës në rajon.

Ai ka thënë se situata në Damask dhe qytete tjera siriane aktualisht është e qetë.

Ministria e Mbrojtjes britanike ka thënë se ka shenja që sulmet kanë qenë të “suksesshme” në shkatërrimin e caqeve të tyre.

Zyrtarët sirianë kanë raportuar për disa të plagosur duke përfshirë civilë dhe personal ushtarak.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis ka thënë se tashmë nuk është planifikuar për ndonjë tjetër sulm.

Ai ka thënë se çdo hap ushtarak do të varet në atë nëse Siria do të përdorë armë kimike.

Pentagoni ka thënë se sulmet kanë qenë dy herë më të gjera se ato për të cilat ka dhënë urdhër presidenti Trump vitin e kaluar.

Po ashtu është thënë se caqet janë zgjedhur ashtu që të anashkalojnë forcat ruse në Siri, ndonëse Rusia nuk është nuk njoftuar paraprakisht për sulmet.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë më 14 prill se asnjë nga sulmet nuk ka prekur zonat ruse në Siri.

Kjo ministri po ashtu ka pretenduar se një numër i madh i raketave të SHBA-së dhe aleatëve të saj janë ndaluar nga sistemi i mbrojtjes i qeverisë siriane, ka raportuar agjencia e lajmeve TASS.

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Rusisë dhe Iranit të ndihmojnë në ndalimin e sulmeve me armë kimike nga Qeveria siriane, duke paralajmëruar për një valë të re sanksionesh ekonomike.

“Bashkimi Evropian u bën thirrje të gjitha shteteve, sidomos Rusisë dhe Iranit të përdorin ndikimin e tyre për të parandaluar ndonjë përdorim të ardhshëm të armëve kimike, duke theksuar regjimin sirian”, është thënë përmes një deklarate.

BE po ashtu ka thënë se ka vënë sanksione ndaj Sirisë në korrik të vitit 2017 dhe në mars të këtij viti dhe se është “e gatshme gjithmonë të vendosë masa të reja sido të jetë e nevojshme”.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei ka thënë se sulmet e koordinuara në Siri nga Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania kanë qenë krim që nuk do të sjellë ndonjë përfitim.

“Sulmi i sotëm në Siri është krim. Unë hapur deklaroj se presidenti i Shteteve të Bashkuara, presidenti i Francës dhe kryeministrja britanike janë kriminelë”, ka thënë Khamenei gjatë një fjalimi, bazuar në llogarinë e tij në Twitter.

Presidenti iranian, Hassan Rouhani ka paralajmëruar se sulmet amerikane mund të nxisin konflikt në Lindjen e Mesme, ka raportuar agjencia e lajmeve Tasnim.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka mirëpritur sulmet amerikane, britanike dhe franceze në Siri, duke thënë se ky operacion ka dërguar mesazh homologut të tij sirian, Bashar al-Assad.

“Përmes një operacioni të përbashkët, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, i kanë dërguar mesazh regjimit sirian se masakrat e kryera nuk do të mbesin pa përgjigje”, u ka thënë Erdogan mbështetësve të tij gjatë një takimi në Stamboll.

“Populli sirian ka merituar që të ketë mbrojtje shumë kohë më parë”, ka thënë Erdogan.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka urdhëruar sulme precize ushtarake kundër Sirisë, në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG