Ndërlidhjet

Jack Smith emërohet kryeprokuror i Gjykatës Speciale


Jack Smith
Jack Smith

Prokurori amerikan, Jack Smith është emëruar kryeprokuror i Dhomave të Veçanta apo Gjykatës Speciale për krime lufte. Smith është emëruar pas një procesi të përzgjedhjes i organizuar nga Bashkimi Evropian.

Siç thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale, Smith ka përvojë në hetime politike të rangut të lartë dhe hetime penale ndërkombëtare.

Prokurori Smith do të jetë pasardhës i David Schvendimanit, i cili ishte kryeprokurori i parë, por e kishte lëshuar detyrën më 31 mars kur skadoi emërimi i tij si zyrtar i shërbimit të Jashtëm amerikan.

“Është nder dhe kënaqësi që më ofrohet kjo sfidë dhe jam i gatshëm t’i çoj hetimet më tej”, u shpreh Smith, thuhet në një njoftimin e Gjykatës Speciale.

Mandati i Gjykatës Speciale për krime lufte, përkufizohet kryesisht në hetimet dhe gjykimet e rasteve të pretenduara të krimeve të luftës nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve, që përfshin periudhën kohore nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000.

Kjo gjykatë u krijua pas ndryshimeve kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova tha se emërimi i Jack Smith në postin e Prokurorit të Specializuar do të ndihmojë në avancimin e mandatit të gjykatës.

Kryetarja Trendafilova tha se Smith ka përvojën e duhur në fushën e hetimeve penale në nivel ndërkombëtar.

“I ofroj z. Smith përgëzimet e mia të sinqerta me rastin e emërimit të tij dhe kam besim që përvoja e tij e gjatë në fushën e hetimeve dhe ndjekjeve penale, si në Shtetet e Bashkuara ashtu dhe në nivel ndërkombëtar, do të shërbejë për përmbushjen e mandatit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Do të kem kënaqësinë të krijoj marrëdhënie të frytshme pune me z. Smith dhe kam besim se Zyra e Prokurorit të Specializuar do të bëjë përparim të mëtejshëm në drejtim të përmbushjes së mandatit të saj”, tha kryetarja Trendafilova thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.

Edhe pse ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar se kur mund të ngritën aktakuzat e para, pritet që të kjo të ndodhë këtë vit.

Kush është Jack Smith?

Prokurori i ri i Gjykatës Speciale, Jack Smith ka një të kaluar të gjatë në sistemin e drejtësisë amerikane. Ai ka qenë i angazhuar në mekanizma të ndëryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë.

Nga shkurt 2015 deri në gusht 2017, prokurori Smith ishte ndihmësprokuror i parë federal dhe ushtrues i detyrës së prokurorit federal për rajonin e mesëm në Tenesi.

Gjatë periudhës 2010-2015, Smith ishte kreu i seksionit për integritet publik në Departamentin e Drejtësisë së SHBA-së.

Smith ka qenë poashtu i angazhuar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Nga 2008 deri më 2010, pranë kësaj gjykate ai mbikëqyri hetime delikate të zyrtarëve të qeverive të ndryshme dhe të milicisë, për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.

Sipas njoftimit të Gjykatës Speciale, Smith ka qenë i angazhuar edhe në pozita të tjera të rëndëishme, ndërkohë që ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Harvardit dhe në Universitetin Shtetëror të Nju Jorkut në Oneonta.

XS
SM
MD
LG