Ndërlidhjet

Kryeprokurori i Gjykatës Speciale është larguar nga pozita si pasojë e mosefikasitetit të DASH-it


David Schwendiman
David Schwendiman

Kryeprokurori i Gjykatës Speciale për krime lufte, David Schwendiman është larguar nga detyra, kryesisht për faktin se Departamenti Amerikan i Shtetit nuk e ka kryer siç duhet punën, shkruan sot e përditshmja britanike The Guardian.

Schwendiman ka thënë se nuk ka njohuri nëse kërkimi për pasardhësin e tij ka nisur ende.

“Nuk më është dhënë asnjë garanci. Që prej dy javësh, ka vetëm heshtje rreth kësaj çështjeje”, i ka thënë ai të përditshmes Guardian, gjatë një bisede telefonike me gazetën.

Schwendiman gjithashtu ka thënë se ishte pajtuar ta pranojë pozitën e kryeprokurorit me kusht që të garantohej pavarësia e tij financiare dhe politike, dhe se ishte paraparë që të shërbente në këtë funksion deri në vitin 2020.

Përvoja e tij pasqyron në fakt raportimet e shpeshtuara për mungesë vendimesh dhe paralizë në Departamentin Amerikan të Shtetit përballë shkurtimeve të thella buxhetore, shkruan The Guardian, duke shtuar se 40 pozita ambasadorësh në vende të ndryshme të botës vazhdojnë të mbeten ende të paplotësuara.

Schwendiman megjithatë është i bindur se largimi i tij në fund të muajit mars, nuk do ta pengojë punën e gjykatës.

“Njerëzit në rajon, ata të cilët duhet të brengosen se do të mbahen përgjegjës, nuk kanë pse të gëzohen. Vlerësimi im i sinqertë është se ky vendim nuk do të na ngadalësojë. Kur të vijë koha, do të bëjmë atë që duhet të bëjmë”, citohet të ketë thënë Schwendiman për gazetën The Guardian.

Pas largimit të Schwendiman, Kwai Hong Ip, zëvendësi i tij, do të marrë përsipër detyrën si Prokuror i Specializuar i Përkohshëm që të sigurohet vazhdimësi në punën e filluar.

Mandati i Gjykatës Speciale për krime lufte, përkufizohet kryesisht në hetimet dhe gjykimet e rasteve të pretenduara të krimeve të luftës nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve, që përfshin periudhën kohore nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000.

Artikullin e plotë e gjeni këtu.

XS
SM
MD
LG