Ndërlidhjet

Thaçi e Haradinaj të ndarë rreth korrigjimit të kufijve


Kryeministri Ramush Haradinaj dhe presidenti, Hashim Thaçi. Foto nga arkivi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sërish foli për mundësinë e korrigjimit të kufirit me Serbinë, siç tha ai, në mënyrë “paqësore”, ku me këtë rast ripërsëriti qëndrimin e tij që komunat jugore të Serbisë, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci të hyjnë në kuadër të territorit të Kosovës.

"Kjo nënkupton jo ndarje të Kosovës, jo shkëmbim territori, dhe jo autonomi për serbët, por korrigjim të kufirit dhe njohje e anëtarësim të Kosovës në të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë. Synimi im nuk është ndryshim i kufijve është korrigjim i tyre. Kemi diku 400 kilometra kufi, që duhet të ndodhë si demarkim mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë", tha Thaçi.

Në një konferencë për media, Thaçi tha se faza finale e dialogut me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, është “e vështirë”, por, sipas tij, e domosdoshme.

Sipas Thaçit, mundësia për të arritur një marrëveshje finale me Serbinë është minimale. Ai tha se megjithatë, në këtë drejtim po bëhen përpjekje “maksimale që të shfrytëzojmë çdo mundësi që të kemi një marrëveshje historike përmes dialogut”.

Sa i takon marrëveshjeve të arritur në procesin e dialogut politik, presidenti Thaçi tha se të gjitha marrëveshjet do të zbatohen, duke përfshirë edhe atë të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Thaçi theksoi se Asociacioni do të themelohet duke respektuar marrëveshjen e Brukselit, Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Thaçi pos tjerash tha se askush nuk do të vijë as në Kosovë e as në Serbi që t'i rregullojë punët dhe se sa më parë që të ndodhë pajtimi, aq më parë do të ketë integrim në Bashkimin Evropian.

"Prandaj, duhet të jemi të vetëdijshme dhe përgjegjshme karshi interesave të qytetarëve duke respektuar të kaluar e hidhur që kemi mes vete, duke mos e harruar, por le të ndodhë pajtimi dhe le të ndodhë mirëkuptimi, fqinjësia dhe e ardhmja evropiane e sigurt", tha Thaçi.

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, teksa po vizitonte qytetin e Vlorës, ka folur për zhvillimet politike dhe çështjen e korrigjimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se hapja e temave të kufijve është e papranueshme.

"Luftërat kanë qenë tragjike në të kaluarën dhe realiteti i sotëm është krejt rezultat i atyre epilogëve të atyre luftërave. Ne duhet të konsolidojmë të arriturat tona, pra Shqipëria, Kosova e kudo që jemi shqiptar, por hapja e temës së kufijve është e papranuar për mua. Ajo është një retorikë politike. Beogradi bën një retorikë, Prishtina bën. Është një kundër retorikë, kundërpërgjigje. Në fund kufijtë ju e dini nuk lëvizin me fjalë", tha kryeministri Haradinaj.

Kurse, analisti politik Ismail Hasani, duke folur për Radion Evropa Lirë, thotë se deklarata për rikompozim, ndarje të kufijve, apo këmbimi i territoreve janë ide që ndoshta mund t’u shkojë për shtati vetëm liderëve të papërgjegjshme politikë.

"Nuk i konsumon këto deklarata as Serbia, që e dinë se kufijtë nuk mund të ndërrohen, siç nuk mund t'i konsumojë për shembull edhe popullata në Kosovë që ndërrimi i territoreve, ridefinimi i kufijve ka përfunduar. Do të thotë, këta kufij ekzistues janë të njohur ndërkombëtarisht nga mbi 100 shtete me vetë aktin e njohjes së Republikës së Kosovës si shtet i pavarur. Nëse fillon ridefinimi dhe rikompozimi i kufijve, sigurisht do të hapej kutia e Pandorës dhe do të zhvilloheshin procese të tjera të cilat mund të jenë të paparashikuar", tha Ismaili.

Departamenti amerikan i Shtetit u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shmangin retorikën negative dhe të punojnë së bashku për një marrëveshje që siguron qëndrueshmëri për të dyja vendet dhe rajonin.

XS
SM
MD
LG