Ndërlidhjet

Thaçi zotohet të paraqesë në dialogun me Serbinë çështjen e korrigjimit të kufirit 


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Foto nga arkivi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Foto nga arkivi.

Korrigjimi i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas presidentit, Hashim Thaçi, do ta ketë mbështetjen ndërkombëtare, nëse arrihet që kjo çështje të përfshihet në marrëveshjen për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve, në kuadër të dialogut të Brukselit.

Edhe sot, presidenti Thaçi është paraqitur në një konferencë për media, ku foli për mundësinë, siç e ka cilësuar ai historike, që Kosova dhe Serbia ta korrigjojnë në mënyrë paqësore kufirin, duke përmendur me këtë rast përfshirjen e komunave jugore të Serbisë, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, në kuadër të territorit të Kosovës.

Ndërkaq Kosova, sipas tij, nuk e ka si opsion ndarjen e asnjë pjese të saj për t’iu bashkuar Serbisë. Ai tha se është momenti që Prishtina zyrtare ta mbështesë kërkesën e shqiptarëve të komunave, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, për t’iu bashkuar Kosovës.

“Institucionet tona nuk guxojnë t’i mbyllin sytë dhe ta injorojnë një mundësi të tillë historike dhe të papërsëritshme. Duhet të bashkohemi dhe t’i themi po kësaj kërkese krejt racionale, të drejtë dhe historike e cila ka mundësi të realizohet krejtësisht në mënyrë paqësore”, tha Thaçi.

Presidenti Thaçi tha se shumë vende në botë kanë korrigjuar kufijtë e tyre përmes bisedimeve pa pasur nevojë që të ngriten tensione apo konflikte.

Ai ka propozuar modelin Holandë-Belgjikë të korrigjimit të kufijve me Serbinë. Sipas tij, në rast se do të ketë sukses në këtë përpjekje, rasti i korrigjimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në asnjë rrethanë nuk paraqet precedent.

“Anë e kënd botës, kemi me dhjetëra raste të korrigjimit të kufirit në mënyrë paqësore. Një shembull i tillë shumë relevant i korrigjimit të kufirit ndodhi vetëm dy vite me parë (2016) ndërmjet Holandës dhe Belgjikës. Këto dy shtete kanë pasur arritën ta korrigjojnë kufirin e tyre në mënyrë paqësore pa pasur nevojë të shkrepin qoftë edhe një plumb të vetëm”, ka theksuar presidenti Thaçi.

Ai ka sqaruar se do të kihet parasysh karakteri i shoqërive multi – etnike, meqë kjo është vlerë thelbësore e çdo shteti demokratik.

“Për më tepër, është vlerë dhe parim fondamental i BE. Kosova dhe Serbia duan të bëhen anëtarë të BE-së. Prandaj, në çdo opsion, në rast se do të kemi marrëveshje përfundimtare, ne do të sigurohemi që kjo vlerë të ruhet dhe afirmohet”, ka thënë ai.

Thaçi edhe sot ka folur me gazetarët për procesin e dialogut, duke ftuar të gjitha institucionet, partitë politike të përfshihen në këtë proces. Ai ka paralajmëruar që në fund të procesit, qytetarët përmes referendumit të vendosin për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

Por, njëkohësisht, Thaçi është shprehur mjaft skeptik nëse Beogradi do ta pranonte kërkesën e tij eventuale në tavolinën e bisedimeve, që komunat me banorë shqiptarë në Serbi, si Presheva Bujanoci dhe Medvegja, t’i bashkohen Kosovës.

“Mundësitë janë krejt të vogla. Ka pak gjasa që Serbia të pajtohet apo aktualisht ka një refuzim kategorik. Mirëpo, unë jam zotuar se kërkesën legjitime dhe historike të qytetarëve të Preshevës, Medvegjes e Bujanocit ta prezantoj në tavolinën e dialogut”, tha Thaçi.

“Mund ta imagjinojë reagimin e Beogradit, do të jetë një reagim kryeneç, i rëndë dhe kategorik refuzues”, theksoi presidenti i Kosovës.

Thaçi u ka dërguar mesazhe edhe opozitës dhe spektrit të gjerë politik në Kosovë që t’i bashkohet idesë së tij për korrigjim të kufirit me Serbinë. Sipas tij, ky është moment historik që kërkon gjithëpërfshirje.

“Unë jam i sigurt se përgjatë këtyre përpjekjeve të përbashkëta politike në kuadër të dialogut paqësor, do të bashkëngjiten edhe ata që sot hapur më kritikojnë edhe mua, edhe kauzën time për korrigjimin e kufirit me Serbinë që në mënyrë paqësore t’u mundësohet shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc realizimi i vullnetit të tyre politik, që fundja nënkupton realizimin e ëndrrës dhe përpjekjeve të tyre shekullore”, u shpreh Thaçi.

Por, nga opozita dhe figurat publike, nuk kanë munguar as kritikat ndaj deklaratave të presidentit. Deputeti Ilir Deda, nga Alternativa, i cili në Kuvendin e Kosovës përfaqësohet në kuadër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës i ka drejtuar një letër të hapur Thaçit, duke i tërhequr vërejtjen atij se politikat për ndryshim të kufijve mund të çojnë në tragjedi njerëzore.

Deda këtë letër e ka publikuar në rrjetin social në Facebook, i ka kërkuar dorëheqjen presidentit Thaçi.

“Ju bëj thirrje publike që pa ekuivokë të tërhiqeni nga aventura të tilla politike dhe të jepni dorëheqje. Dorëheqja e juaj do ta shpëtonte Kosovën nga shkatërrimi, dhe juve do të ju mundësonte që të jetoni në Kosovë si një ish-udhëheqës dhe qytetar që i ka pranuar gabimet e veta, dhe është penduar për ato. Pranimi i gabimit është akt fisnikërie, ndërsa zbatimi i planeve për zhbërje të Kosovës është krim dhe tradhti”, ka shkruar Deda.

Ditë më parë, në Prishtinë kanë qëndruar përfaqësuesit politikë të shqiptarëve nga tri komunat, Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, njëherësh ish-kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa e mbështetë inicimin në tavolinën e bisedimeve në Bruksel të kërkesës së këtyre komunave për t’iu bashkuar Kosovës.

Përfaqësuesit e këtyre komunave, që shpesh përkufizohen edhe si Luginë e Preshevës, thonë se vullneti i tyre politik është që t’i bashkohen Kosovës dhe rikujtojnë se këtë vullnet e kishin shprehur edhe përmes referendumit të mbajtur në vitin 1992.

Në atë referendum, të cilin autoritetet serbe nuk e njohin, rreth 97 për qind e votuesve shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të shpërndarë në 71 vendbanimeve, ishin deklaruar për “autonomi politiko-territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën”.

XS
SM
MD
LG