Ndërlidhjet

VMRO-DPMNE: Qytetarët të vendosin sipas bindjeve të tyre në referendum


Ilustrim.

Partia opozitare maqedonase, VMRO DPMNE-ja, ka vendosur të mos bëjë thirrje për dalje apo mosdalje në referendumin e 30 shtatorit për marrëveshjen me Greqinë, por gjithçka është lënë në dorën e qytetarëve, ashtu që ata të vendosin sipas bindjes së tyre. Qëndrimi i opozitës u bë i ditur nga lideri i saj, Hristijan Mickovski, pak para mesnatës së ditës së martë pas mbledhjeve maratonë të organeve më të larta partiake. Mickovski tha se për çështjet madhore kombëtare nuk duhet të vendosin partitë, por populli dhe se çdo vendim që do të sjellë do të pranohet nga partia e tij.

Duke kritikuar marrëveshjen me Greqinë, si antikombëtare, ai tha se beson se qytetarët do të sjellin vendimin më të mirë, duke aluduar në kundërshtimin e referendumit më 30 shtator.

“VMRO DPMNE-ja ka vendosur që çdo qytetari t’i lihet që të veprojë sipas bindjeve të tija. Çdo individ të sjellë vendimin sipas ndërgjegjes dhe moralit të tij për të cilin vlerëson se është më i miri, para se gjithash për familjen e tij dhe Maqedoninë tonë të dashur. Maqedonia është gjithçka dhe partitë nuk do të vendosin. Për çështjet kombëtare do të vendosë kombi dhe para vendimit që do të marrë, të gjithë ne do të përulemi…Maqedonia nuk është vetëm e Mickovski dhe e Zaevit, apo nuk është vetëm se VMRO-së dhe e LSDM-së, por e çdo qytetari. Keni gjithçka para vetes, keni të gjitha faktet dhe unë e di se çfarë ju duhet të bëni, ju e dini se çfarë dua t’ju them, por vetëm duhet të dëgjoni zemrën tuaj dhe në fund Maqedonia do të fitojë”, tha kreu i VMRO-DPMNE-së, duke theksuar se marrëveshja për emrin me Greqinë, nga e cila varet procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe hapja e negociatave me Bashkimin Evropian, është e dëmshme për identitetin, gjuhën dhe kulturën maqedonase.

Me këtë marrëveshja, tha Mickovski rrënohen themelet e shtetit ndërsa Greqia sipas tij, në çdo moment do të mund të bllokojë procesin e integrimit në BE nëse nuk përmbushen siç tha ai, kërkesat e saj për zhbërjen e kulturës, historisë dhe të identitetit maqedonas.

“Marrëveshja me Greqinë për ndryshimin e emrit është dokument, të cilin, unë dhe VMRO -DPMNE nuk e pranojmë pasi është jashtë parimeve tona dhe se çdokush e ka të qartë se me këtë marrëveshje ndryshohet Kushtetuta e Maqedonisë, ndryshohet identiteti institucional, si segment thelbësor i identitetit kombëtar të një populli, të një shteti. Me këtë marrëveshje ndryshohen dokumentet e udhëtimit. Me ketë dokument pranohet komisioni për shqyrtimin dhe revidimin e kulturës dhe traditës që në të ardhmen do t’i hap rrugën fqinjit jugor që të bllokojë integrimet euroatlantike kur të dojë dhe si të donë. Me këtë marrëveshje, humbin gjithçka, pozitën tonë, argumentet tona të arritura vite më parë. Me këtë marrëveshje, zhduken rezoluta e OKB-së, marrëveshja e përkohshme dhe vendimi i gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë”, ka thënë Mickovski duke shtuar se VMRO-ja mbështet fuqishëm si parti integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, ashtu siç e ka mbështetur që nga vendosja e pluralizmit por edhe gjatë veprimit të saj para komunizmit, por se integrimi, sipas saj, nuk mund të pranohet duke rrënuar identitetin, gjuhën dhe kulturën maqedonase.

XS
SM
MD
LG