Ndërlidhjet

Shqipëria fton shqiptarët e Maqedonisë të mbështesin referendumin


Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati.

Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati u ka bërë thirrje shqiptarëve të Maqedonisë që të votojnë në referendumin e 30 shtatorit për mbështetjen e marrëveshjes me Greqinë.

Kjo marrëveshje vlerësohet vendimtare për të ardhmen e Maqedonisë, pasi zbatimi i saj mundëson hyrje në NATO dhe nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

"Dua që në emër të shtetit shqiptar t’iu bashkohem gjithë zërave, gjithë miqve të vendit tuaj, duke i bërë një apel, sidomos shqiptarëve që jetojnë këtu për të mbështetur marrëveshjen historike të Prespës. Kjo marrëveshje pavarësisht se shpesh konsiderohet si një marrëveshje për zgjidhjen e çështjes së emrit, në fakt ajo ka një rëndësi të madhe për stabilitetin demokratik në rajonin tonë dhe për perspektivën tonë të përbashkët euroatlantike”, ka deklaruar në Shkup, shefi i diplomacisë shqiptare pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov.

Bushati tha se Shqipëria si vend anëtar i NATO-së mbështet pa asnjë kusht anëtarësimin e Maqedonisë në Aleancën Veriatlantike.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, ka përshëndetur qasjen konstruktive të Shqipërisë sa i përket procesit euroatlantik ndërsa ka theksuar përkushtimin e dy vendeve për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit.

Dy ministrat njoftuan edhe për mbajtjen e shpejtë të një mbledhjeje të përbashkët mes dy qeverive.

XS
SM
MD
LG