Ndërlidhjet

Hungaria "nuk do të jetë kurrë vend i migrantëve"


Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto.

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, akuzoi zyrtarët e Kombeve të Bashkuara për, siç tha, "përhapjen e gënjeshtrave" me kritikat e tyre ndaj politikave anti-migrim të Budapestit, duke thënë se vendi i tij "nuk do të jetë kurrë vend i migrantëve".

"Është e qartë se zyrtarët e OKB-së që i përhapin këto gënjeshtra për Hungarinë, janë zyrtarë të njëanshëm pro migrimit", tha Szijjarto në Këshillin e OKB-së për të Drejta të Njeriut, në Gjenevë.

Hungaria, shtoi ai, "nuk do të jetë kurrë vend i migrantëve". "Nuk do të lejojmë asnjë migrant të vetëm të paligjshëm të hyjë në territorin e vendit tonë", tha ai.

"Hungaria do të mbetet vendi i hungarezëve, i lumtur dhe krenar për historinë e tij mbi 1,000-vjeçare dhe kulturën e krishterë dhe traditat", tha Szijjarto.

Adresimi i tij vjen pasi shefja për të drejta të njeriut e OKB-së, Michelle Bachelet, dhe një grup i ekspertëve të OKB-së krtikuan ashpër politikat e Hungarisë, javën e kaluar.

Qeveria e Hungarisë, e udhëhequr nga kryeminstri Viktor Orban, ka marrë qëndrim të ashpër ndaj migrantëve qysh në vitin 2015, kur mbi një milion njerëz të ikur nga luftërat dhe varfëria në Lindjen e Mesme, kanë hyrë në Evropë.

Autoritetet hungareze kanë ngritur edhe gardhe me tela gjemborë në kufij, për të parandaluar hyrjen e tyre.

Lexoni edhe këtë: PE voton për masa disiplinore kundër Hungarisë

XS
SM
MD
LG