Ndërlidhjet

Qytetarët serbë protestuan edhe të mërkurën në Mitrovicë


Mitrovicë e Veriut, 28 nëntor 2018.
Mitrovicë e Veriut, 28 nëntor 2018.

Qytetarët serbë nga komunat veriore të Kosovës protestuan edhe të mërkurën në veri të Mitrovicës, duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për taksën doganore 100% ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Protesta pasoi edhe dorëheqjet e kryetarëve të katër komunave veriore, të banuara me shumicë serbe, po me të njëjtin motiv.

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, tha se “nuk ka më parti politike” dhe se ky unitet, sipas tij, po u pengon disave.

Protestuesit mbanin në duar pankarta me porositë: ‘Kemi të drejtë për bukë’, ‘Nuk kemi ilaçe’, ‘Stop dhunës nga Prishtina’ e të ngjashme.

Kryetarët tashmë në dorëheqje të komunave: Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq dhe Mitrovicë e Veriut, i kanë dërguar mesazh Qeverisë së Kosovës se në veri “funksionimi i mëtejmë i qeverisjes lokale përmes sistemit të Prishtinës është pezulluar”.

Krahas pakënaqësisë së shprehur me vendosjen e taksës doganore, përfaqësuesit e atjeshëm politikë dhe qytetarët kanë kundërshtuar edhe aksionin e Policisë së Kosovës për arrestimin e disa personave në veri, nën dyshimin se janë të përfshirë në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Protestë e ngjashme u zhvillua edhe të martën.

XS
SM
MD
LG