Ndërlidhjet

Dorëheqje të kryetarëve në veri dhe protestë e qytetarëve kundër taksës


Protesta në veri të Mitrovicës. 27 nëntor, 2018.
Protesta në veri të Mitrovicës. 27 nëntor, 2018.

Protesta në veri të Mitrovicës ka përfunduar, ndërkaq organizatorët njoftuan se ato do të vazhdojnë ditët e ardhshme derisa Kosova nuk e tërheq tarifën për mallrat serbe.

Udhëheqësi i Listës Serbe, Goran Rakiq tha para protestuesve se përkundër të gjitha vendimeve të Prishtinës, bashkësia ndërkombëtare edhe më tutje po hesht. Ai konfirmoi sërish vendimin për dorëheqje të katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri.

“Prej sot administrimi i qeverisjes lokale nga ana e Prishtinës në veri nuk ekziston, dhe kjo jo për shkak të dëshirës tonë por veprimeve të cilat pamundësojnë jetën normale të serbëve në Kosovë. Tarifa të cilën e ka vendosur Prishtina do të thotë që fëmijët tanë nesër nuk do të kenë ushqim, bukë dhe ujë”, tha Rakiq.

Ai njoftoi se do të formohet një shtab i krizës i cili do të sjellë vendime varësisht nga zhvillimet e situatës.

Protesta u mbajt para objektit të EULEX-it në veri.

Protesta në Mitrovicën e Veriut
Protesta në Mitrovicën e Veriut

Më herë gjatë ditës, katër kryetarët e komunave veriore, të banuara me shumicë serbe, njoftuan se kanë dhënë dorëheqje.

Dorëheqjet i kanë dhënë, kryetari i Zubin Potokut, Stevan Vuloviq, ai i Zveçanit, Vuçina Jankoviq, kryetari i Leposaviqit, Zoran Todiq dhe kryetari i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq. Ky i fundit, është edhe kryetar i Listës Serbe, subjekti më i madh politik që përfaqëson komunitetin serb në institucionet qendrore dhe lokale të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Dejan Gureshiq, njoftoi se të gjithë kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës kanë dhënë dorëheqje.

"Organet e administratës shqiptare, të Prishtinës, në veri të Kosovës nga sot nuk ekzistojnë. Funksionimi i mëtejmë i qeverisjes lokale përmes sistemit të Prishtinës është pezulluar. Autoritetet dhe shërbimet komunale nuk do të funksionojnë dhe kuvendet komunale nuk do të mbajnë më takime. Ky vendim është përfundimtar dhe do të mbetet në fuqi derisa Prishtina nuk i tërheq të gjitha masat diskriminuese“, tha Gureshiq.

Në një konferencë për gazetarë, pas përfundimit të seancës së jashtëzakonshme, kryetarët tashmë të dorëhequr të Mitrovicës Veriore, të Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit, kanë nënshkruar deklaratën e përbashkët me katër pika.

Aty thuhet se “vendimi është marrë për shkak të ngritjes së takës në 100 për qind për mallrat serbe, përmes së cilës serbëve të Kosovës u është kërcënuar e drejta për jetesë, për shërim dhe mbijetesë gjë që çon në krizë edhe më të thellë”.

Po ashtu, në një pikë tjetër, nënvizohet se deklarata nënshkruhet për, siç thuhet ”për shkak të dhunës së vazhdueshme, rrahjes së serbëve, arrestimeve të paligjshme dhe tentimit për të vrarë Millan Radojiçiqin, gjë që po ashtu rrezikon të drejtën për jetesë të serbëve në Kosovë”.

Ndërkaq në pikën e tretë të deklaratës flitet për, siç thuhet, “shkeljet e të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare, nga Rezoluta 1244, marrëveshjet e Brukselit, të CEFTA-s”. Pika e katërt, ndërkaq, thotë se vendimi është marrë duke u nisur nga mos respektimi i të drejtave të serbëve të Kosovës.

Vendimi vjen pasi autoritetet në Kosovë, javën e kaluar, kanë rritur nga 10% në 100% taksën mbi prodhimet e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, i ka bërë thirrje Kosovës që të heqë këtë detyrim doganor.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, u bëri thirrje autoriteteve në Kosovë që të heqin taksën mbi mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, njoftoi Departamenti i Shtetit.

Pompeo po ashtu i bëri thirrje Kosovës që të shfrytëzojë mundësinë unike për të arritur "marrëveshje historike" për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Pompeo thuhet t'i ketë bërë këto komente në takim me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në Uashington.

XS
SM
MD
LG