Ndërlidhjet

Parlamenti grek ratifikon Marrëveshjen për emrin e Maqedonisë


Parlamenti grek
Parlamenti grek

Parlamenti i Greqisë ka ratifikuar marrëveshjen me Maqedoninë për zgjidhjen e kontestit të emrit. Për marrëveshjen kanë votuar 153 deputetë nga 300 sa numëron institucioni ligjvënës në Athinë. Kundër kanë votuar 146 deputetë të opozitës, ndërsa asnjë votë abstenim.

Votimit i ka paraprirë një debat treditor i përcjellë me akuza të shumta mes deputetëve të partisë së kryeministrit grek, Aleksis Tsipras dhe atyre të Demokracisë së Re, të cilët marrëveshjen e vlerësonin të dëmshme. Janë mbajtur edhe protesta të shumta nga grupe të ndryshme, të cilat të enjten në mbrëmje dogjën edhe flamurin maqedonas.

Pas votimit të marrëveshjes, Parlamenti grek duhet t'i njoftojë shtetet anëtare të NATO-s se tërhiqet nga bllokimi i pranimit të Maqedonisë në NATO.

Me këtë marrëveshje, Maqedonia e ka ndërruar emrin në Maqedoni e Veriut ndërsa Shkupi ka pranuar se gjuha maqedonase është pjesë e grupit të gjuhëve sllave dhe se identiteti nuk ka asgjë të përbashkët me maqedonasit e lashtë.

Marrëveshja ishte nënshkruar më 17 qershor 2018 në Prespë, me të cilën edhe mbyllet kontesti 27-vjeçar ndërmjet dy vendeve.

Pas ratifikimit të marrëveshjes nga Parlamenti i Greqisë, kryeministri i Maqedonisë ka përgëzuar homologun e tij grek, Aleksis Tsipras.

“Gëzuar miku im, Aleksis Tspiras, së bashku me popujt tanë, shkruam fitore historike. Le të jetë e përjetshme Marrëveshja e Prespës, le të jenë të përjetshme paqja dhe progresi në Ballkan dhe Evropë”, ka shkruar Zaev në rrjetin social Facebook.

Edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane i Maqedonisë Veriut, Bujar Osmani, vendimin e Parlamentit grek e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm për të ardhmen e të dyja vendeve, ndërsa kryeministrin grek Tsipras e ka përgëzuar për guximin, vizionin dhe durimin e treguar për procesin e ratifikimit të marrëveshjes.

“Urime për të gjithë ne, mirënjohje për qytetarët e dy vendeve. Ballkani sot fitoi dy fqinj, miq të shkëlqyer, shembull për të gjitha vendet tjera të Ballkanit”, ka shkruar Osmani në Facebook.

XS
SM
MD
LG