Ndërlidhjet

MTI do të verifikojë çdo produkt të ekspozuar në Kosovë


Produktet e Serbisë të ekspozuara në tregjet e Kosovës.
Produktet e Serbisë të ekspozuara në tregjet e Kosovës.

Inspektorati i Tregut të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) bashkë me Inspektoratet Komunale, do të bëjnë inspektime intensive të tregut në Republikën e Kosovës.

Sipas ministrit të MTI-së Endrit Shala, ky vendim është marrë për të verifikuar çdo dokumentacion të produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, por edhe nga vendet tjera, si dhe për krahasimin e këtyre dokumenteve me produktet e ekspozuara në tregun e Kosovës.

“Qëllimi i këtij aksioni është që të bëhet verifikimi dhe sekuestrimi i secilit produkt që mund të jetë i kontrabanduar dhe tregtohet në Republikën e Kosovës. Është obligim ligjor dhe kushtetues që të ndalojmë çdo lloj kontrabande, të sekuestrojmë çdo produkt për të cilin nuk dëshmohet prejardhja. Me këto veprime ne po mbrojmë qenien e shtetit tonë, dhe njëkohësisht konsumatorin, rrjedhimisht qytetarin e Kosovës”, thuhet në komunikatën e MTI-së.

Ministri Shala iu ka bërë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që veprojnë në Republikën e Kosovës, që para qytetarëve të Kosovës të ekspozojnë produkte, të cilat i kanë kaluar të gjitha procedurat doganore, sanitare dhe fito-sanitare.

Taksë apo 'taksirat'?!

Ky vendim i institucioneve të Kosovës është bërë publik pas një reagimi të ministrit serb të Tregtisë, Rasim Lajiq, i cili ka thënë se mallrat nga Serbia gjenden në Kosovë dhe se ato po arrijnë përmes rrugëve alternative.

Sipas tij zyrtarët në Serbi kanë tërhequr vërejtjen për rritjen e kontrabandës menjëherë pasi që Prishtina zyrtare kishte vendosur masën e tarifës doganore 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina.

Lajiq ka thënë për Radio Televizionin e Serbisë, se nëse shikohet në veri apo në jug të Kosovës, gjithkund mund të hasen mallrat nga Serbia të cilat mbërrijnë atje përmes rrugëve të ndryshme.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën doganore 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina është në fuqi që nga 21 nëntori i vitit të kaluar.

Shtetet e Bashkuara kanë përsëritur disa herë se mospezullimi kësaj mase nga autoritetet e Kosovës përbën qëndrim kundër interesave të SHBA-së.

XS
SM
MD
LG