Ndërlidhjet

Papa Françesku premton masa konkrete kundër abuzimit seksual


Papa Françesku.

Papa Françesku ka premtuar masa konkrete kundër abuzimit seksual të fëmijëve, pas mbajtjes së një konference që ka hapur të enjten.

Në hapje të konferencës, një kardinal ka pranuar se Kisha duhet të luftojë “armikun nga brenda”.

Kreu i Selisë së Shenjtë ka mbledhur liderët katolikë nga e gjithë bota, në një takim katërditor, ashtu që të adresojë skandalet që kanë dëmtuar kredibilitetin e Kishës në Shtetet e Bashkuara.

Në deklaratat e tij të para, ai ka synuar të luftojë skepticizmin në mesin e viktimave, që e kanë konsideruar këtë takim vetëm për qëllime të lidhjeve me publikun.

“Teksa përballemi me abuzimin seksual, të kryer nga burrat e kishës kundër të miturve, unë dua t’iu drejtohem juve”, ka thënë Papa para klerikëve.

Ai ka kërkuar që të dëgjohet “vaji i të vegjëlve që janë duke kërkuar drejtësi”.

Papa po ashtu ka thënë para gati 200 pjesëmarrësve, se viktimat meritojnë “masa konkrete” dhe jo vetëm dënim të akteve.

Papa u kërkon falje viktimave të abuzimit seksual nga priftërinjtë

Viktimat nën anën tjetër kanë pasur përgjigjje të ndryshme, disa duke shprehur optimizëm, të tjerët duke thënë se tashmë është shumë vonë.

Kardinali i Bogotas, Rubén Salazar Gómez, ka thënë se peshkopët kanë mbyllur veten në një mentalitet klerik me mendimin se do të mbesin pa u ndëshkuar.

“Armiqtë e parë janë brenda nesh, mesh peshkopëve dhe priftërinjëve që nuk kanë vepruar sipas thirrjes sonë. Ne duhet ta pranojmë se armiku është brenda”, ka thënë ai.

Papa, së bashku me pjesëmarrësit kanë shikuar një incizim të pesë viktimave, të cilat në kushte anonimiteti kanë treguar historitë e tyre të dhimbshme.

“Prej moshës 15 vjeçare kam pasur marrëdhënie seksuale me një prift. Kjo ka zgjatur 13 vjet. Kam mbetur shtatëzënë tre herë dhe ai më ka detyruar të abortoj tre herë, vetëm për faktin se nuk ka dëshiruar të përdorë kontraceptivë”, ka thënë një grua.

XS
SM
MD
LG