Ndërlidhjet

Dekreti i Thaçit për emërimin e anëtarëve të KQZ-së dërgohet në Kushtetuese


Ilustrim
Ilustrim

Shefat e grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës për Kosovën dhe Partisë Social-Demokrate dorëzuan të hënën në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Dekretit të presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, lidhur me emërimin e anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Partitë e koalicionit qeverisës, i njohur si PAN, nuk i kanë dërguar emrat e anëtarëve të tyre për postet në KQZ, pasi kanë kërkuar nga presidenti që të përfaqësohen si parti dhe jo si koalicion.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Nisma për Kosovën, Bilall Sherifi, tha se dekreti i presidentit nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe si i tillë duhet të shfuqizohet.

"Ne konsiderojmë se na janë shkelur të drejtat tona si grupe parlamentare dhe për këtë arsye e kemi sfiduar këtë dekret në Gjykatë Kushtetuese", tha Sherifi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, javë më parë, ka emëruar tetë anëtarët e rinj të KQZ-së, pas një viti të mosfunksionimit të këtij organi për shkak të mungesës së anëtarëve.

Vendimi i presidentit Thaçi për këto emërime ka pasuar reagimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, në të cilin, mes tjerash, është thënë se "dështimi për t'i bërë emërimet, e ka lënë KQZ-në të paaftë për të kryer funksionet e saj themelore".

Nga tetë anëtarët e rinj, dy janë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, dy nga Lëvizja Vetëvendosje dhe katër nga komunitetet pakicë.

XS
SM
MD
LG