Ndërlidhjet

Të kthyerit nga Siria dërgohen në fshatin Vranidoll


Disa kosovarë kthehen nga Siria
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:44 0:00

Disa kosovarë kthehen nga Siria

Disa kosovarë, përfshirë gra dhe fëmijë, që kanë qenë në zonën e konfliktit në Siri, janë kthyer të premten mbrëma në Kosovë.

Lajmin e konfirmoi për gazetarët ministri i Drejtësisë i Kosovës, Abelard Tahiri, por pa dhënë detaje se sa është numri i tyre.

Tahiri, i cili foli nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, tha se hollësitë do të publikohen paraditen e së shtunës.

“Operacioni i planifikuar për kthimin e disa qytetarëve tonë nga Siria tashmë ka përfunduar me sukses dhe çdo detaj tjetër do ta merrni nesër në një konferencë në orën 10”, tha Tahiri.

Të shoqëruar nga vetura të shumta policore, të kthyerit nga Siria janë larguar nga Aeroporti "Adem Jashari" në orët e para të së shtunës, për t'u dërguar në ish-bazën ushtarake në fshatin Vranidoll, në periferi të Prishtinës.

Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë raportoi se në aeroport, pranë vendit ku besohej se ishin vendosur fillimisht të kthyerit nga Siria, shihej një aeroplan, në një pjesë të të cilit vërehej flamuri i Shteteve të Bashkuara.

Javë më parë, presidenti amerikan, Donald Trump, u ka bërë thirrje vendeve në Evropë që t’i marrin dhe gjykojnë luftëtarët e grupit militant Shteti Islamik.

Qeveria e Kosovës ka thënë atëbotë se do të veprojë njësoj si edhe shtetet e tjera anëtare të koalicionit global kundër Shtetit Islamik.

Më shumë se 400 qytetarë të Kosovës, kryesisht të rritur, kanë shkuar në gjashtë-shtatë vjetët e fundit në Siri dhe Irak për të luftuar në anën e grupit militant Shteti Islamik.

Më shumë se 70 prej tyre janë vrarë, ndërkohë që shumë gra dhe fëmijë kanë vazhduar të mbeten në atë zonë.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës në muajin shkurt, në zonën e konfliktit në Siri kanë qenë 44 gra dhe 48 fëmijë kosovarë.

Numri i luftëtarëve kosovarë që mbeten ende në zonën e konfliktit është 56, ka thënë Policia e Kosovës më 25 shkurt.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka thënë se është i gatshëm të ndihmojë kthimin e kosovarëve nga Siria.

Në një raport të publikuar po në muajin shkurt, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka nxjerrë në pah se qytetarët e Kosovës nuk e dëshirojnë kthimin e luftëtarëve të huaj në vend, pasi i konsiderojnë ata si shqetësim për sigurinë.

Kosova ka hartuar një ligj në vitin 2015, me të cilin çdo person që merr pjesë në luftëra të huaja do të dënohet deri në 15 vjet burgim.

Shteti Islamik, i cili në vitin 2014 ka shpallur të ashtuquajturin kalifat në pjesë të Sirisë dhe Irakut, është raportuar se ka humbur kontrollin në territorin e fundit në muajin mars.

XS
SM
MD
LG