Ndërlidhjet

Ambasada amerikane: Zgjedhjet e 30 qershorit në Shqipëri të zhvillohen qetë


Ilustrim

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë u bëri thirrje të gjithë udhëheqësve politikë, zyrtarëve të qeverisë, agjencive të sigurisë dhe qytetarëve shqiptarë që të sigurohen që zgjedhjet e 30 qershorit të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe transparente.

"Ne nxisim udhëheqësit politikë të refuzojnë çdo dhe të gjitha llojet e dhunës, apo çdo përpjekje për të penguar procesin zgjedhor apo edhe të drejtën e çdo qytetari për të votuar. Dhuna nuk është një mënyrë legjitime e të shprehurit politik", thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane.

Sipas saj, ata që përfshihen në akte dhune duhen hetuar me të gjithë fuqinë e ligjit.

Në deklaratë bëhet e ditur se Shtetet e Bashkuara do të kenë ekipe vëzhguesish në qendrat e votimit dhe qendrat e numërimit në mbarë Shqipërinë.

Ambasada amerikane po ashtu u bëri thirrje udhëheqësve politikë të Shqipërisë që, pas zgjedhjeve të së dielës, të rikthejnë vëmendjen e tyre në forcimin e institucioneve demokratike shqiptare dhe zbatimin e ligjit.

Shqipëria, tash e sa kohë, është përfshirë nga një krizë politike.

Opozita, me muaj, proteston kundër qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Edi Rama dhe është zotuar se do t’i bojkotojë zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Të enjten, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili i ka anuluar zgjedhjet më 30 qershor, ka dekretuar 13 tetorin si datë të re të mbajtjes së zgjedhjeve.

Megjithatë, Partia Socialiste në pushtet, e udhëhequr nga kryeministri Rama, insiston në 30 qershor.

Data e fundit njihet si datë zyrtare e zgjedhjeve edhe nga bashkësia ndërkombëtare dhe ambasadat me seli në Tiranë.

XS
SM
MD
LG