Ndërlidhjet

Palestinezët kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës në Interpol


Asambleja e Përgjithshme e Interpolit, 2018.

Palestinezët nuk do të përkrahin Kosovës për anëtarësimin në Interpol, ka thënë i dërguari palestinez në Beograd, Mohamed Nabhan.

Ai ka takuar sekretaren e Shtetit në ministrinë e punëve të Brendshme të Serbisë, Biljana Popoviq e cila e ka informuar përfaqësuesin palestinez, lidhur me argumentet e Serbisë, kundër kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Interpol.

Sipas një njoftimi të ministrisë së punëve të Brendshme të Serbisë, Popoviq, ka thënë gjatë takimit, se Serbia do të luftojë për ruajtjen e së drejtës ndërkombëtare, dhe për të parandaluar politizimin e një organizate profesionale policore siç është Interpoli.

“Popoviq kujtoi se vetëm shtetet anëtare dhe vendet me statusin e vëzhguesit në Kombet e Bashkuara mund të jenë anëtarë të Interpolit”, thuhet në njoftim.

Nabhan, gjatë takimit me zyrtaren serbe, ka thënë se edhe qëndrimi sa i përket mosnjohjes së Kosovës, mbetet i pandryshuar.

Ndërkohë, Komiteti Ekzekutiv i Organizatës Ndërkombëtare të Policisë - INTERPOL, tashmë ka vendosur në favor të dërgimit të dosjes së Policisë së Kosovës për votim në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, e cila sivjet do të mbahet në Kili, kanë konfirmuar zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Zëvendëskryeministri dhe njëherësh edhe ministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, më 26 qershor, nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka theksuar që shumica e përfaqësuesve të 10 shteteve, të cilat, gjatë këtij viti e përbëjnë Komitetin Ekzekutiv të INTERPOLIT, “argumentuan në favor të aplikacionit të Policisë së Kosovës për të proceduar më tutje në Asamblenë e Përgjithshme”.

Më 20 nëntor të vitit 2018, Kosova nuk kishte arritur të anëtarësohet në INTERPOL, pasi që nuk mori shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që u mbajt në Dubai.

XS
SM
MD
LG