Ndërlidhjet

Një tjetër sfidë drejt INTERPOL-it


Fotografi ilustruese

Komiteti Ekzekutiv i Organizatës Ndërkombëtare të Policisë - INTERPOL, tashmë ka vendosur në favor të dërgimit të dosjes së Policisë së Kosovës për votim në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, e cila sivjet do të mbahet në Kili, kanë konfirmuar zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Zëvendëskryeministri dhe njëherësh edhe ministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka theksuar që shumica e përfaqësuesve të 10 shteteve, të cilat, gjatë këtij viti e përbëjnë Komitetin Ekzekutiv të INTERPOLIT, “argumentuan në favor të aplikacionit të Policisë së Kosovës për të proceduar më tutje në Asamblenë e Përgjithshme”.

“Urojmë që edhe Serbia t’i thërrasë zërit të arsyes dhe të mos veprojë me obstruksionet e saj kundër paqes dhe sigurisë”, ka shkruar Pacolli në Facebook, duke shtuar se “do të ishte primitive dhe jashtë çdo logjike, pengimi dhe lobimi kundër anëtarësimit të Policisë së Kosovës” në INTERPOL.

Më 20 nëntor të vitit 2018, Kosova nuk kishte arritur të anëtarësohet në INTERPOL, pasi që nuk mori shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që u mbajt në Dubai.

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Artan Muhaxhiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë,shprehet mjaft skeptik lidhur me suksesin e mundshëm të Kosovës për t’u anëtarësuar në INTERPOL gjatë këtij viti.

Sipas tij, dështimi i herës së kaluar i Kosovës për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, ka qenë për arsye të defekteve në mënyrën se si pala e Kosovës e ka tentuar anëtarësimin, por edhe për shkak të fushatës tejet agresive të Serbisë kundër këtij anëtarësimi. Siç thotë Muhaxhiri, as kësaj radhe nuk ka ndryshime të mëdha në këto raporte.

“Për fat të keq, as kësaj radhe nuk kemi ndonjë ndryshim substancial, as në qasjen e Kosovës, mirëpo as në qasjen e Serbisë. Pra, derisa mos të ketë ndryshime shumë të mëdha nga pala e Kosovës, për sa i përket seriozitetit të përgatitjes së aplikimit, por, po ashtu edhe nga pala e Serbisë, që të mos investojë aq shumë fuqi politike dhe financiare në pengimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në INTERPOL, unë nuk besoj që mund të ketë ndonjë ndryshim të rezultatit në raport me herën e kaluar, e ai është rezultati negativ”, thekson Muhaxhiri.

Anton Berisha, zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Kosovës, më herët i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi, është i vetëdijshëm për marrëveshjen e arritur në Bruksel që Kosova të mos pengohet në anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtarë.

Sipas tij, autoritetet e Kosovës do të insistojnë te BE-ja që të përkujtohen detyrimet që dalin nga marrëveshja.

“Do të aktivizohemi me partnerët tanë, që t’ua bëjmë me dije pikërisht këtë pikë të marrëveshjes, e cila është shumë e qartë dhe shumë e ditur. Kjo (anëtarësimi në INTERPOL) ka të bëjë jo vetëm me sigurinë e Kosovës, por edhe me sigurinë rajonale dhe me implikimet, sepse për shembull: krimi i organizuar dhe terrorizmi, nuk janë vetëm rrezik lokal dhe rajonal, por edhe evropian. Do të duhej që ata të jenë aktiv dhe pse jo, ta disiplinojnë Serbinë në këtë hapësirë të pakufishme të lirisë së tyre për të mos respektuar marrëveshjet e Brukselit”, ka thënë Berisha.

Ndërkaq, analisti Muhaxhiri shpreh mendimin që në rast se shteti i Kosovës synon seriozisht anëtarësimin në INTERPOL, atëherë duhet të kërkojë mbështetjen dhe përkrahjen e aleatëve të fuqishëm, sikurse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania dhe jo të merret me propagandë në media dhe t’i konsiderojë gjërat si të kryera.

“ U pa që kjo është e pamjaftueshme në raport me angazhimin e Serbisë, posaçërisht sa u përket vendeve të Afrikës dhe të Amerikës Latine. Pra, së pari, pala e Kosovës duhet të afirmojë shumë më herët projektin, planin dhe strategjinë e anëtarësimit. Duhet t’i mbledhë ekspertët më të mirë të vendit, por edhe të angazhojë ekspertë ndërkombëtarë, në mënyrë që t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë për një aplikim me potencial maksimal për pranim”, shprehet Muhaxhiri.

Tentativat e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL kanë nisur që nga viti 2010. Atë kohë, Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate, nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare. Më 2015 dhe 2016, Kosova kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme. Më 2017, Kosova pati tërhequr vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG