Ndërlidhjet

UNMIK-u vazhdon rolin ndërmjetësues mes Kosovës dhe INTERPOL-it


Ilustrim.
Ilustrim.

Kosova dhe Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) nuk i kanë ndërprerë të gjitha kontaktet dhe komunikimin, ashtu siç kishte deklaruar të mërkurën kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj dhe Qeveria e Kosovës, kanë deklaruar se e kanë ndërprerë komunikimin dhe nuk e njohin më Misionin e Kombeve të Bashkuara-UNMIK, si strukturë përfaqësuese në Kosovë.

Zyra e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë funksionon edhe si zyrë komunikimi ndërmjet institucioneve të Kosovës me Agjencinë Ndërkombëtare të Policisë- INTERPOL.

Zëdhënësja e UNMIK-ut, Sanam Dolatshahi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se UNMIK-u vazhdon të luajë edhe më tej këtë rol.

“UNMIK-u vazhdon të përmbushë rolin e tij si ndërmjetësues me INTERPOL-in, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, ashtu siç kërkohet për të siguruar që të gjitha funksionet të kryhen në mënyrë efikase. Ne nuk do të komentojmë për raste specifike”, ka thënë Dolatshai.

Misioni i Kombeve të Bashkuara është instaluar në Kosovë në vitin 1999. Ky mision është neutral ndaj statusit të Kosovës dhe vepron sipas rezolutës 1244 të OKB-së, e cila ka qenë kompromis midis vendeve perëndimore dhe Rusisë për t’i dhënë fund konfliktit në Kosovë.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në shkurt të vitit 2018, Prishtina zyrtare ka kërkuar që misioni i UNMIK-ut të reformohet dhe të mbetet vetëm si zyrë përfaqësuese e OKB-së në Kosovë.

XS
SM
MD
LG