Ndërlidhjet

Senatori Johnson inkurajon Kosovën dhe Serbinë t’i kthehen dialogut


Kadri Veseli dhe Ron Johnson
Kadri Veseli dhe Ron Johnson

Kosova dhe Serbia duhet t’i kthehen dialogut, është mesazhi që senatori amerikan, Ron Johnson, i ka transmetuar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Ky i fundit po qëndron në një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka realizuar takime me zyrtarët amerikanë.

"Është me rëndësi që Kosova dhe Serbia t'i kthehen dialogut sa më parë dhe të arrijnë marrëveshjen e obligueshme. Rasti i Maqedonisë [së Veriut] dhe Greqisë është shembulli që duhet ndjekur, se kur ka vullnet politik, mund të arrihet marrëveshje përfundimtare", citohet të ketë thënë senatori Johnson, sipas një komunikate për media të lëshuar nga zyra e Veselit.

Veseli, në anën tjetër, ka deklaruar se dialogu duhet të përmbyllet me një marrëveshje që garanton njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ky është opsioni i vetëm që siguron paqe dhe stabilitet të përhershëm në rajon. Pavarësisht dallimeve të brendshme, në raport me dialogun, Republika e Kosovës është e gatshme për fazën finale të dialogut", ka thënë Veseli.

Veseli ka takuar në Uashington edhe senatorin demokrat, Gary Peters, dhe kongresistin republikan, Vern Buchanan, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon, si dhe për bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe SHBA-së.

Gjatë kësaj vizite në SHBA, Veseli ka takuar edhe senatorin tjetër, Gary Peters, i cili është anëtar i Komitetit për Siguri Kombëtare në SHBA.

Senatori Peters, sipas komunikatës, ka shprehur mbështetjen për të ardhmen e ushtrisë së Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.

Ndërsa, në takim me kongresistin Vern Buchanan, Veseli ka diskutuar për çështjet tregtare dhe për nxitjen e investimeve amerikane në Kosovë.

XS
SM
MD
LG