Ndërlidhjet

BE-ja thotë se marrëveshja për Brexit nuk rihapet


Bruksel
Bruksel

Bashkimi Evropian i tha këshilltarit të ri britanik për Evropën se nuk është i gatshëm të rinegociojë marrëveshjen për Brexit, apo daljen e Britanisë nga BE-ja.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Mina Andreeva, tha se këshilltari David Frost zhvilloi të mërkurën dhe të enjten takime me zyrtarë të lartë të Komisionit Evropian, i cili administron negociatat për Brexit-in në emër të vendeve anëtare të BE-së.

Andreeva tha se "të dyja palët i përsëritën qëndrimet e tyre".

Ajo tha se "marrëveshja për Brexit nuk është për rihapje".

Andreeva po ashtu tha se kryeministri britanik, Boris Johnson, dhe presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, "do të kenë rastin" të flasin për Brexit-in në Francë, më 24-26 gusht, në margjina të një samiti të G7-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara.

Këtë javë, Johnson tha se do të bisedojë me udhëheqësit e BE-së për Brexit-in kur ata t'i ndryshojnë qëndrimet për marrëveshjen e divorcit.

Në të kundërtën, Britania do të përgatitet të dalë nga blloku pa marrëveshje, tha zëdhënësja e Johnsonit.

Britania ka arritur marrëveshje me BE-në mbi kushtet e divorcit nëntorin e kaluar, pas dy vjetësh negociata.

Por, ajo është refuzuar tri herë nga Parlamenti britanik, kryesisht për shkak të politikave në kufirin me Irlandën Veriore, çfarë ka çuar edhe në dorëheqjen e kryeministres së deritashme britanike, Theresa May.

XS
SM
MD
LG