Ndërlidhjet

Pakistani do ta sfidojë vendimin e Indisë për Kashmirin


Forcat e sigurisë në Kashmir, 7 gusht 2019

Kryeministri pakistanez, Imran Khan është zotuar se do të luftojë vendimin e Indisë për t’i hequr autonominë Kashmirit të administruar nga India, duke përmendur takimin në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Khan ka thënë se ky vendim shkel ligjin ndërkombëtar, duke shtuar se frikësohet për ndonjë spastrim etnik të kryer nga India.

Për Kashmirin, rajon i Himalajeve kanë pretendime si India ashtu edhe Pakistani, ndonëse kontrollojnë vetëm disa pjesë të tij.

Në anën e kontrolluar nga India, ekziston një kryengritje afatgjatë e separatistëve, që ka rezultuar me mijëra vdekje përgjatë tri dekadave. India akuzon Pakistanin për mbështetje të kryengritësve, ndonëse zyrtarët pakistanezë e mohojnë një gjë të tillë duke thënë se vetëm ofrojnë mbështetje diplomatike dhe morale për banorët e Kashmirit që duan vetëvendosje.

Përveç tjerash, kryeministri pakistanez ka thënë se dëshiron ‘t’i tregojë botës” rreth vendimit të Qeverisë indiane, që është bërë i ditur ditën e hënë.

“Përmes Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ne do ta ngrisim këtë çështje në Asamblenë e Përgjithshme dhe do të flasim me udhëheqës të shteteve në secilin forum, do të dalim para mediave dhe do t’i tregojmë botës”, ka thënë ai para Parlamentit në Pakistan.

Khan ka thënë se beson që tërheqja e statusit special, do t’i lejojë Indisë që të ndryshojë demografinë e shtetit me shumicë myslimane.

“Frikësohem se India do të kryejë spastrim etnik në Kashmir. Ata do të tentojnë të largojnë popullsinë lokale dhe do të dërgojnë persona tjerë që t’i bëjnë shumicë, andaj banorët lokalë, nuk do të jenë asgjë përveç skllavëve”, ka thënë ai.

Kina fqinje po ashtu ka kritikuar vendimin indian, duke e konsideruar “të papranueshëm”.

Aktualisht në Kashmirin e administruar nga India janë bllokuar linjat telefonike dhe mediat, pasi ekzistojnë shqetësime se vendmi qeveritar mund të nxisë protesta nga njerëzit që nuk janë të kënaqur me udhëheqësinë indiane.

Prej kur është bërë i ditur vendimi, në këtë zonë janë dërguar dhjetëra mijëra trupa shtesë, ndonëse Kashmiri njihet si një prej pjesëve me më së shumti prani ushtarake në botë.

Si ka ndryshuar statusi i Kashmirit?

Për shumë persona, në Kashmirin e administruar nga India, Artikulli 370, që i ka siguruar këtij rajoni status të veçantë, ka qenë edhe përcaktues që ky rajon i përket Indisë.

Mirëpo pas tërheqjes së tij, partia në pushtet ka ndryshuar rrënjësisht marrëdhënien që ka pasur Delhi me atë rajon.

Ky artikull i ka lejuar shtetit indian të Kashmirit autonomi, pasi ka pasur kushtetutën, flamurin dhe lirinë për të hartuar ligje, ndonëse aspekti i mbrojtjes dhe çështjeve të jashtme ka qenë pjesë e qeverisë qendrore.

Mirëpo qeveria ka konsideruar se ky artikull duhet anuluar në mënyrë që ky shtet të jetë i njëjtë me gjithë pjesën tjetër të Indisë.

Pavarësisht kësaj, banorët e Kashmirit besojnë se partia në pushtet dëshiron të ndryshojë karakterin demografik të rajonit të populluar me shumicë myslimane, duke iu lejuar edhe personave që nuk janë nga Kashmiri të kenë mundësi të blejnë tokë atje.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG