Ndërlidhjet

Kina paralajmëron ndërhyrje nëse keqësohet situata në Hong Kong


Ushtria kineze afër Hong Kongut
Ushtria kineze afër Hong Kongut

Ambasadori kinez në Britani të Madhe, ka paralajmëruar se qeveria e Pekinit nuk do të "ulet dhe të shikojë" nëse kriza në Hong Kong bëhet "e pakontrollueshme".

Kina është e gatshme të "shuajë trazirat shpejt", tha ambasadori, Liu Xiaoming, në një konferencë për media në Londër më 15 gusht, pas më shumë se dy muaj protestave antiqeveritare në territorin kinez.

Xiaoming gjithashtu akuzoi "forcat e huaja" të paidentifikuara për nxitje të protestave të dhunshme, dhe fajësoi mediat perëndimore se ishin të pabalancuara në raportimet e tyre.

Protestat pro-demokracisë në Hong Kong janë shoqëruar me përleshje në rrugë, midis protestuesve dhe policisë, si dhe dy ditë ndërprerje të fluturimeve në aeroportin e Hong Kongut, në fillim të kësaj jave.

Qeveria kineze ka kritikuar ashpër demonstruesit, duke e cilësuar sjelljen e tyre "afër terrorizmit".

Protestat u nxitën nga një projekt-ligj që do të lejonte të dyshuarit të përballen me gjyq në territorin e Kinës, përderisa kritikët thonë se të drejtat e tyre do të komprometohen.

Projekt-ligji u pezullua nga ana e autoriteteve të Hong Kongut, por kërkesat e protestuesve janë rritur duke përfshirë dorëheqjen e udhëheqëses Carrie Lamit, zgjedhje të drejtpërdrejta, shpërbërjen e legjislaturës aktuale dhe një hetim mbi brutalitetin e dyshuar të policisë.

Hong Kongu është pjesë e Kinës, por gëzon më shumë autonomi sesa rajonet e tjera kineze.

XS
SM
MD
LG