Ndërlidhjet

Trump propozon “takim personal” me presidentin kinez, pas protestave në Hong Kong


Presidenti amerikan, Donald Trump
Presidenti amerikan, Donald Trump

Protestat masive në Hong Kong pritet të vazhdojnë edhe të enjten, pavarësisht pse situata është përshkallëzuar gjatë javës, çka ka shtyrë në anulimin e gati 1,000 fluturimeve këtë javë, si dhe janë shtuar thirrjet e liderëve botërorë për qetësi.

Kina ka përsëritur të mërkurën se protestat në Hong Kong i ngjajnë terrorizmit teksa përleshjet në rrugë kanë pasuar skenat kaotike të dy ditëve më parë në aeroport.

Policia dhe protestuesit janë përleshur sërish në rrugë gjatë natës, mirëpo zyrtarët policorë kanë hedhur menjëherë gaz lotsjellës, për të shuar protestat.

Video: Rikthehet dhuna në Hong Kong

Dhjetë javë të protestave kanë përballur Hong Kongun me një prej krizave më të këqija prej kur është ky vend ka kaluar nga rregulli britanik në atë kinez më 1997.

Këto protesta po ashtu përbëjnë një prej sfidave më të mëdha për presidentin kinez, Xi Jingping prej kur ka ardhur në pushtet më 2012.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka bërë lidhje mes një marrëveshjeje tregtare me Kinën dhe thirrjeve për zgjidhje të protestave në mënyrë “njerëzore” madje ka sugjeruar se ka gatishmëri për t’u takuar me presidentin kinez për të diskutuar këtë krizë.

“Unë kam ZERO dyshim se nëse presidenti Xi (Jinping) dëshiron të zgjidhë problemin e Hong Kongut shpejt dhe në mënyrë njerëzore, ai mund ta bëjë atë. Takim personal?” ka thënë Trump në një postim në rrjetin social, Twitter.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë më herët se është i shqetësuar pas raportimeve se forcat policore kineze janë mbledhur afër kufirit me Hong Kongun andaj i ka bërë thirrje qeverisë së qytetit që të respektojë lirinë e shprehjes.

Në disa pamje satelitore janë parë makina ushtarake brenda një salle të sporteve në qytetin kinez, Shenzhen, që gjendet në kufi të Hong Kongut.

Departamenti amerikan i Shtetit ka nisur edhe paralajmërime për udhëtim për qytetarët amerikanë, duke thënë që të kenë kujdes nëse vizitojnë Hong Kongun.

Kina në anën tjetër ka paralajmëruar disa herë se është kundër atyre që i cilëson ndërhyrje të jashtme në çështje të brendshme.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, i ka bërë thirrje autoriteteve të Hong Kongut të mërkurën që të rikthejnë bisedimet me protestuesit për të gjetur një zgjidhje paqësore, derisa kryeministri kanadez, Justin Trudeau, i ka bërë thirrje Kinës që të përballet në mënyrë diplomatike me protestat.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë është e rëndësishme që i ashtuquajturi Ligji Bazik i vitit 1997 është është i përfshirë në ligj dhe siguron liri të shprehjes dhe sundim të ligjit në Hong Kong.

“Ekziston një traditë e gjatë aty, andaj duhet bërë gjithçka për të parandaluar dhunën dhe për të gjetur zgjidhje për dialog”, ka thënë ajo.

Protestat aktuale në Hong Kong kanë kaluar shkallën e disa marsheve që ishin mbajtur për më shumë se tre muaj në këtë vend më 2014.

Ndërkohë Autoriteti i Aeroportit të Hong Kongut ka thënë se fluturimet do t’i kthehen normalitetit të enjten, mirëpo masat e rrepta të sigurisë do të vazhdojnë në atë institucion.

Nga e enjtja në Hong Kong janë planfiikuar dhjetëra protesta në distrikte të ndryshme, duke përfshirë një marsh të mësuesve, dhe një organizim nga personat që mbrojnë të drejtat e kafshëve, të cilat janë të shqetësuar pse kafshët e tyre po i ekspozohen gazit lotsjellës.

Fronti i të Drejtave Civile të Njeriut, që ka organizuar marshe me qindra mijëra qytetarë në muajin qershor, ka organizuar një tjetër protestë ditën e diel.

Protestuesit pro-demokratikë janë duke kërkuar gjatë tërë kohës, që autoritetet t’i dërgojnë pesë kërkesat e tyre, që përfshijnë një tërheqje të plotë të projekt-ligjit tashmë të pezulluar për ekstradim, i cili do të mundësonte që kriminelët e dyshuar të dërgoheshin në gjykatat e territorit kinez.

Protestat për këtë projekt-ligj më vonë janë zgjeruar, pasi protestuesit kanë thënë se janë të shqetësuar për demokracinë e Hong Kongut, që funksionon sipas organizimit “një shtet, dy sisteme”.

Në mesin e kërkesave tjera, përfshihet edhe ndalimi i të përshkruarit të protestave si “rebelim”, pezullimi i akuzave ndaj të arrestuarve, një hetim i pavaruar dhe rinisje të reformës politike.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG