Ndërlidhjet

Hong Kongu mund t’i humbasë Krishtlindjet!


Protestuesit në Hong Kong, foto nga arkivi.
Protestuesit në Hong Kong, foto nga arkivi.

Disa muaj të protestave të dhunshme në Hong Kong janë duke u kthyer në shqetësim në rritje për ekonominë e këtij vendi, meqë turistët janë duke u larguar nga një prej vendeve kryesore për blerje në botë.

Ekonomistët kanë thënë se ndikimi i protestave anti-qeveritare në tetë javët e fundit veçse është më i keq sesa ai i protestave të vitit 2014, kur “Revolucioni i Ombrellave” pati paralizuar distriktin financiar të qytetit për 79 ditë.

Kësaj here protestat janë shpërndarë në disa pjesë të qytetit dhe dhuna ka qenë më e madhe, andaj blerësit lokalë dhe ata të huaj kanë anashkaluar disa zona. Dyqanet dhe disa degë të bankave janë detyruar të mbyllen për periudhë më të gjatë.

Pamje nga dyqanet e dëmtuara në Hong Kong.
Pamje nga dyqanet e dëmtuara në Hong Kong.

Shumë biznese që gjenden në jug të bregut kinez tashmë janë duke u përballur me vështirësi financiare për shkak të luftës tregtare mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, transmeton agjencia e lajmeve Reuters.

Në javët në vijim është planifikuar mbajtja e një vargu grevash nga punëtorët, teksa aksionet civile janë duke ndodhur pothuajse në baza ditore për disa muaj tani.

Të martën, qindra protestues kanë bllokuar shërbimet e trenave, duke shkaktuar kaos në trafik.

Pamje nga arkivi.

Përleshje midis policisë dhe protestuesve në Hong Kong
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:00 0:00

Asociacioni kryesor për tregti ka paralajmëruar anëtarët e tij se në muajt korrik dhe gusht pritet që shifrat të bien në mënyrë drastike.

“Industria e tregtisë në Hong Kong do të preket si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe atë të jashtëm”, ka thënë ekonomistja, Angela Cheng, e cila ka parashikuar rënie prej 10 për qind të shitjeve në tregun e saj më 2019, apo dy herë më shumë sesa ishte planifikuar fillimisht.

Biznesi dhe morali

Bobby Tang, 21-vjeçar që është përfaqësues për shitje në një dyqan të markës Gucci, ka mbështetur lëvizjen civile.

Ai ka thënë se qeveria ka dështuar që të përgjigjet ndaj të gjitha kërkesave, të cilat në fillim ishin fokusuar në tërheqjen e një projektiligji kontravers për ekstradim në Kinë, mirëpo tani janë zgjeruar në krizë më të madhe pro-demokratike.

​Mirëpo ai edhe shqetësohet për punën e tij në grupin luksoz francez. Para protestave, dyqani ka pasur një klient për minutë, derisa tani një blerës eventual viziton dyqanin çdo 3-4 orë.

“Nëse protestat vazhdojnë deri në muajin tetor, frikësohem se mund të mos kem pagë të mjaftueshme”, ka thënë Tang.

Qendrat tregtare shumë shpesh po shfrytëzohen për pushime gjatë protestave, apo për bartje të mjeteve për protestë.

Pavarësisht pse protestuesit kanë tentuar të respektojnë këto zona, në një rast, një qendër e tillë është kthyer në vend të përplasjes dhe policia ka përfunduar duke i ndjekur në ambient të mbyllur.

Andaj turizmi, sidomos nga Kina ka rënë dukshëm, ndonëse edhe Britania, Japonia, Singapori dhe vendet tjera kanë nisur alarme për udhëtim në këtë vend.

Unioni i Hong-Kongut për Tregti ka thënë se shkalla e rezervimit të hoteleve ka rënë për 20 për qind në muajin qershor dhe 40 për qind në korrik, krahasuar me këta muaj të një viti më parë.

Një menaxher lokal i turneve në qytet, ka thënë se dy të tretat e klientëve të tij kanë anuluar shëtitjet.

Rreziku afatgjatë

Kompania me bazë në Shtetet e Bashkuara, Fitch Ratings, ka thënë të martën se kjo situatë mund të dëmtojë besimin e bizneseve si dhe kualitetin e qeverisjes. Ajo po ashtu ka përmendur shqetësimet në rritje rreth paralizimit të politikave dhe humbjes së besimit në ligj.

Më 1992, Akti për Politika mes SHBA-së dhe Hong Kongut, që i lejon Uashingtonit të ketë regjim ndryshe me Hong Kongun në krahasim me Kinën, ka qenë po ashtu shumë i rëndësishëm për stabilitetin e qytetit të udhëhequr nga Kina.

Në mënyrë që ky Akt të jetë i zbatueshëm, autoritetet amerikane duhet të shohin Hong Kongun mjaftueshëm të pavaruar nga Pekini, andaj do të mbikëqyrin secilin hap të këtij të fundit gjatë protestave.

Oda Amerikane e Tregtisë ka paralajmëruar se bizneset ndërkombëtare janë duke rënë ndjeshëm në periudhë afatshkurtër dhe se qeveria duhet të marrë hapa të menjëhershëm për të adresuar shkakun e protestave.

“Protestat mund të zgjasin deri në fund të vitit. Ne mund të humbasim dhe Krishtlindjet, që përbëjnë periudhën kryesore të shitjeve”, ka thënë Fung, një asistent i shitjes për një kompani të kujdesit të lëkurës.

Hong Kongu, ish-koloni britanike, është pjesë e Kinës, por nën marrëveshjen "një shtet, dy sisteme", që i garanton një nivel autonomie.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG