Ndërlidhjet

Shkup: Afaristët kërkojnë t'i jepet fund luftës tregtare me Prishtinën


Kufiri Kosovë - Maqedoni e Veriut (Foto nga arkivi)

Afaristët në Maqedoninë e Veriut kërkojnë që sa më parë t'i jepet fund luftës tregtare me Kosovën për shkak se, siç theksojnë, tanimë kanë filluar të ndjehen efektet negative të bllokimit të importit dhe eksportit të produkteve të caktuara qe vendosën dy vendet për njëra tjetrën.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, gjatë javës së kaluar iu përgjigj barrierave tarifore të rasadit të peshkut nga Kosova me masa reciproke ndaj mjaltit dhe patateve të Maqedonisë së Veriut.

Autoritetet e Maqedonisë së Veriut janë arsyetuar se në asnjë mënyrë nuk bllokohet importi i peshkut nga Kosova, por siç kanë sqaruar, Maqedonia e Veriut si shtet nuk mund të importojë e as të eksportojë produkte në vende të cilat nuk janë të akredituara agjencitë për ushqim dhe veterinari ku bën pjesë edhe Kosova.

Por, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut, kanë theksuar se qeveritë e dy vendeve fqinje duhet të rishqyrtojnë paraprakisht mirë vendimet të cilat ndikojnë negativisht në zhvillimin e bizneseve në dy vendet.

“Për Maqedoninë e Veriut si shtet është shumë i rëndësishëm tregu i Kosovës, prandaj disa herë kemi thënë se para se të ndërmerren hapa të tilla duhet që me kohë të informohen bizneset, që të përgatiten për pasojat eventuale.

"Rrjedhimisht, vlerësimi ynë është se duke qenë se Maqedonia e Veriut dhe Kosova, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, pretendojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, pjesë e tregut të përbashkët evropian, çdo vendim që ndërmerret nga ana e qeverive e që mund të këtë ndikim në ekonominë e vendit, por edhe atë të rajonit, duhet të jetë në frymën e marrëveshjes së CEFTA-s për tregti të lirë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Drilon Iseni, drejtor i Odës Ekonomike.

Iseni thekson se duhet të ndalet praktika e politikave korrektuese, siç po ndodh aktualisht, por qeveritë duhet paraprakisht të konsultohen me bizneset për çdo veprim para se të dëmtohen ata me vendime të këtilla.

Ndërkaq, Xhevdet Hajredini, ish ministër i Financave në Maqedoninë e Veriut për Radion Evropa e Lirë, thotë se problemi lidhur me këmbimin tregtar në esencë është problem politik, sepse siç nënvizon, ministrat e Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut që janë kuadër i partisë shqiptare në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim, synojnë që përmes shkaktimit të problemeve të këtilla të përfitojnë poena politik duke dalë si shpëtimtarë të krizave të krijuara lidhur me këmbimin tregtar mes dy vendeve.

“Ata (ministrat e Ekonomisë) qëllimet propagandistike partiake në raport me Shqipërinë dhe Kosovën synojnë që të paraqiten si vendimtarë në zgjidhjen e çështjeve. Pra, përmes krizave të këtilla ekonomike ministri i Ekonomisë gjen shkak që çdo natë të dalë në media që të paraqitet si shpëtimtar, jo vetëm i interesave të Maqedonisë së Veriut, por edhe të gjithë shqiptarëve“, thotë Hajredini.

Gjatë ditës, nga departamenti i Ekonomisë kanë informuar se gjatë të martës ministri i Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, do të udhëtoj në Kosovë për t'u takuar me homologun e tij kosovar që përmes komunikimit të drejtpërdrejtë mes zyrtarëve të të dyja vendeve, të arrihet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët.

Maqedonia e Veriut si shtet, drejt Kosovës çdo muaj eksporton mallra në vlerë mbi 20 milion dollarë.

XS
SM
MD
LG