Ndërlidhjet

Maqedonia e Veriut më pak atraktive për investitorët e huaj


Shkup
Shkup

Afaristët në Maqedoninë e Veriut nuk janë të befasuar nga rënia drastike që ka shënuar vendi sa i përket tërheqjes së investitorëve të huaj duke komentuar të dhënat e fundit të “Financial Times” me ç`rast Maqedonia e Veriut e cila gjatë vitit 2016 ishte në vendin e tretë, këtë vit është pozicionuar në vendin e 18-të.

Nga sektori i biznesit thonë se mungesa e sundimit të ligjit, polarizimi i shoqërisë dhe klima e keqe politike po ndikon që sa më pak kompani të huaja të vendosin që të investojnë në vend.

Ndërkaq, nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut janë arsyetuar se rënia është si rezultat i konkurrencës shumë të madhe, duke nënvizuar se gjatë vitit 2016 në këtë listë janë futur 94 shtete, përderisa këtë vit në këtë listë janë futur 11 shtete më shumë apo 105.

“Të dhënat për investimet e huaja të drejtpërdrejta të publikuara në Financial Times, kanë të bëjnë me investime të huaja të përgjithshme që janë futur në vend dhe radhitja është bërë sipas numrit të projekteve investuese, dhe jo sipas vlerës dhe vëllimit të investimeve. Në raportin e vitit 2016 janë ranguar 94 vende ndërsa në raportin e fundit janë analizuar dhe ranguar 105 vende, praktikisht konkurrenca është rritur dhe zgjeruar”, kanë theksuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Por, afaristët thonë se strukturat udheheqëse sa më parë duhet t`i japin fund krizës politike duke u dhënë shtytje reformave në sistemin gjyqësor.

Ish-kryetari i Lidhjes së Odave të Maqedonisë, Mirçe Çekrexhi, për Radion Evropa e Lirë thotë se mungesa e realizmit të reformave të thella në sistemin e drejtësisë duke e bërë gjyqësorin funksional dhe tërësisht të pavarur ndikon në masë të madhe dhe thithjen e investimeve të huaja, sepse siç thotë, biznesi para së gjithash ka nevojë për garanci juridike.

“Sundimi i ligjit, përkatësisht mossundimi i ligjit shumë ndikon në investimet e huaja, por edhe ato të vendit. Pra, sundimi i drejtësisë është një nga elementet thelbësore për zhvillimin e ekonomisë. Një herë duhet të funksionojë shteti ligjor dhe më pas të pritet zhvillimi i ekonomisë".

"Cili budalla do të vendoste të derdh kapitalin e tij duke investuar në mes të një krize politike. Pavarësisht nëse behet fjalë për afaristë vendor ose të huaj, ai pret që njëherë të zgjidhet situata problematike dhe më pas të vendos të investojë”, thotë Mirçe Çekrexhi, afarist, duke shtuar se fillimisht duhet të stabilizohet klima politike duke mundësuar reformimin e sistemit gjyqësore që kompanitë të mund të punojnë.

Bashkim Selmani, ish gjykatës, për Radion Evropa e Lirë thotë se biznesmenët është e qartë se kanë frikë të bëjnë investime në një shtet ku sistemi gjyqësor duket qartë se është i kapur nga politika dhe në një situatë të këtillë çdo kontest që mund të kenë gjatë zhvillimit të biznesit më së paku në një situatë të këtillë do të mund ta kërkojnë në organet e drejtësisë.

“Organet gjyqësore në Republikën e Maqedonisë së Veriut duket qartë se tanimë jo vetëm se nuk janë marrë me problemet e qytetarëve, por siç duket një pjesë e prokurorëve dhe gjykatësve kanë bërë politikë të kriminalizuar që këtë e dëshmoi dhe përfshirja e kryeprokurores së Prokurorisë Speciale Katica Janeva”, thotë Selmani.

Edhe në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit theksohet se problemi me sistemin e drejtësisë paraqet rrezik për investitorët.

“Realizmi i kontratave, zgjidhja e kontesteve në sistemin gjyqësor zgjatë shumë, janë të kushtueshme dhe mbeten lëndë të presioneve nga politika”, theksohet në raportin e DASH-it.

XS
SM
MD
LG