Ndërlidhjet

Çfarë mendojnë ukrainasit për skandalin që mbërtheu Uashingtonin?


Shtëpia e Bardhë, ilustrim
Shtëpia e Bardhë, ilustrim

Më 24 shtator, në Uashington, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, Nancy Pelosi, doli në podium dhe njoftoi se Dhoma e Përfaqësuesve do të nisë procedurat formale për shkarkimin e presidentit Donald Trump, duke e akuzuar atë për tradhti ndaj betimit të presidentit dhe të sigurisë kombëtare.

Akuzat kanë të bëjnë me dyshimet se presidenti i ka bërë presion presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, që të hetojë një rival të tijin politik.

Në ndërkohë, mbi 8,000 kilometra në lindje, Alina Kosse ishte e strehuar brenda shtëpisë së saj, të rrethuar nga plumbat, në qytetin lindor të Ukrainës, Marijinka, ku forcat qeveritare janë në luftë me separatistët pro-rusë.

Marijinka është shkatërruar në masë të madhe nga lufta që ka shpërthyer në vitin 2014, pasi Rusia ka aneksuar Krimenë dhe ka nxitur një kryengritje separatiste në lindje të Ukrainës. Shumica e banorëve nga qyteti Marijinka kanë ikur. Vija e frontit kalon përmes qendrës së tij. Atje nuk ka ujë të rrjedhshëm, energjia elektrike është e dobët dhe ushqimi i mangët.

Andaj, thotë Kosse, gjëja e fundit në mendjen e saj, por edhe të qindra njerëzve të tjerë të mbetur në qytet, ishte skandali politik që mbërtheu Uashingtonin, edhe pse ai sillet rreth Ukrainës dhe presidentit të saj të ri.

“Njerëzit këtu nuk flasin fare për të”, thotë Kosse për Radion Evropa e Lirë dhe tregon se një ushtar është vrarë në një aksion gjatë natës.

“Ne jemi të interesuar vetëm për atë që mund të hamë. Njerëzit duan patate të lira”, thotë Kosse.

Edhe sikur Kosse t’i kishte ndjekur raportet e mediave në Ukrainë, të transmetuara më 24 shtator, ajo nuk do të shihte se demokratët në SHBA kanë bërë një hap të jashtëzakonshëm, që mund të shkarkojë presidentin Trump.

Derisa debati për procedurat e shkarkimit është nxjerrë në faqet e para të çdo gazete dhe në fillim të çdo edicioni lajmesh në SHBA, në Ukrainë është mbuluar pak.

Lajmet kryesore atje më 24 shtator kanë përfshirë atë për shefin e ri të Policisë Kombëtare, për Kabinetin e Ministrave që ka dërguar në Parlament një ligj për shitjen e tokave dhe për një sistem të biletave elektronike për transportin publik në Kiev.

Ukrainasit që folën për Radion Evropa e Lirë, thanë se bisedat e tyre kanë vazhduar të përqendrohen në jetën e përditshme dhe problemet e brendshme.

Vendi i tyre përballet me sfida të mëdha, derisa përpiqet të bëjë reforma, të rimëkëmbë ekonominë dhe të ndalojë atë që Zelenskiy, në një fjalim para Kombeve të Bashkuara, e quajti luftë të Rusisë në Ukrainë.

Zelenskiy, i cili e ka mposhtur ish-presidentin Petro Poroshenko në një balotazh në prill, me 70 për qind të votave, ka premtuar se do t'i trajtojë këto çështje.

Trump akuzohet se i ka bërë presion Zelenskyit të hetojë ish-nënpresidentin amerikan, Joe Biden, dhe një kompani ukrainase, në bord të së cilës ka qenë djali i Bidenit, Hunter.

Trump dhe aleatët e tij e akuzojnë Joe Bidenin, i cili mund ta sfidojë Trumpin në zgjedhjet e vitit 2020, se ka shfrytëzuar ndikimin e tij për të ndihmuar kompaninë Burisma që të shmangë një hetim penal, për nxitjen e shkarkimit të kryeprokurorit të Ukrainës, i cili është pushuar nga puna në mars të vitit 2016.

Zyrtarët ukrainas dhe aktivistët anti-korrupsion thonë se hetimi i Burismas ka qenë i fjetur në atë kohë dhe se prokurori, Viktor Shokin, ka qenë në fakt pengesa më e madhe në rrugën e hetimeve.

“Reagimi im i parë ishte: epo mirë”, tha Anna Dotsenko, banore e Kievit, që punon në prodhim televiziv, teksa foli për skandalin në Uashington që ka përfshirë edhe Zelenskiyn.

Presidenti ukrainas është futur edhe më thellë në skandal më 25 shtator, kur Shtëpia e Bardhë ka publikuar një memorandum të bisedës telefonike që Trump dhe Zelenskiy kanë zhvilluar dy muaj më parë.

Olha Ivanova, një punëtore bamirësie në Kiev, tha se di për këtë lajm, porse nuk e ka ndjekur nga afër.

“E di thelbin e tij dhe jam kureshtare të di se çfarë do të ndodhë tani. Duket si skandal shumë amerikan, në të cilin ne jemi vetëm viktima fatkeqe, për shkak të establishmentit amerikan dhe gabimeve ose interesave të caktuara politike të disa zyrtarëve ukrainas”, tha Ivanova.

Kristina Berdynskykh, gazetare e revistës Novoye Vremya në Ukrainë, tha se “mediat ukrainase nuk i kushtojnë vëmendje kësaj teme, pasi është e qartë se Zelensky nuk është personi më i rëndësishëm në këtë histori - Trump është".

Lexuesit ukrainas, shtoi ajo, "mendojnë se kjo është punë e brendshme e amerikanëve".

Shumë pajtohen. Halyna Odnoroh, aktiviste në qytetin Mariupol, i cili ndodhet 20 kilometra larg vijës së frontit të luftës, thotë se “ky problem është midis Kongresit dhe presidentit”.

“Ne u tërhoqëm në këtë problem”, shtoi ajo.

Një barist në Kiev, ndërkaq, pyeti se çfarë do të kishte ndodhur "sikur Zelenskiy të mos lajmërohej në telefon".

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG