Ndërlidhjet

Parlamenti Evropian refuzon dy kandidatë për komisionarë


Ilustrim

Komiteti për Çështje Ligjore i Parlamentit Evropian solli vendimin përfundimtar që dy kandidatë për komisionarë të Bashkimit Evropian nuk janë të përshtatshëm për pozitat.

Bëhet fjalë për kandidatin hungarez, Laszlo Trocsanyi, dhe kandidaten rumune, Rovana Plumb, tek të cilët Komiteti për Çështje Ligjore ka gjetur konflikte interesi.

Kjo është procedurë e paparë, pasi deri më tash nuk ka pasur raste kur kanidatët për komisionarë janë refuzuar në fazën fillestare.

Komiteti është mbledhur të premten kur edhe janë konstatuar konfliktet e interesit, por për shkak të mungesës së praktikës në lidhje me këtë çështje, kryetari i Parlamentit Evropian, David Sassoli, ka kërkuar që Komiteti ta shqyrtojë sërish situatën të hënën.

Me rastin e marrjes në pyetje në Komitetin për Çështje Ligjore të PE-së, kandidatja Rovana Plumb nuk i ka lajmëruar dy kredi private në vlerë prej gati një milion eurosh, ndërsa kandidati Laszlo Trocsanyi nuk ka arritur të sqarojë lidhjet midis firmës së tij juridike dhe punës që ka bërë për Qeverinë hungareze.

Në ndërkohë, disa anëtarë të Komitetit kanë identifikuar edhe lidhjet e Troscanyit me Qeverinë ruse.

Rovana Plumb ka qenë kandidate për komisionare të Transportit të BE-së, ndërsa Laszlo Trocsanyi për komisionar për Zgjerim.

Meqë gjetjet e Komitetit për Çështje Ligjore të Parlamentit Evropian janë përfundimtare, kryetari i Parlamentit, Sassoli, duhet t'i dërgojë tani letër presidentes së zgjedhur të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përmes së cilës do të pyetet për hapat e saj të ardhshëm.

Edhe pse Komiteti rekomandon që këta dy emra të zëvendësohen me propozime të reja nga Bukureshti dhe Budapesti, Von der Leyen ka lirinë të vendosë se çfarë të bëjë me kandidatët e saj.

Seancat dëgjimore të konfirmimit të tyre, të parapara për në fillim të tetorit, janë shtyrë deri në vendimin e ri të Von der Leyen.

Të tjera në këtë temë:

XS
SM
MD
LG